​Dhurohet gjak në përkujtim të të rënëve në Sofali dhe Taukbashqe

2017-03-28 në ora 14:30

Në parkun e Taukbashqes u dhurua gjak në mënyrë të organizuar, në shenjë nderimi për banorët e kësaj pjese që 18 vite më parë ishin dëbuar nga forcat serbe, e shumë prej tyre edhe ishin vrarë, si dhe 74 veprimtarëve që ishin vrarë në atë park në vitin 1944.

Drejtori i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Arben Vitia, tha se ky aktivitet po bëhet që 3 vjet me radhë, dhe në këtë mënyrë duam t’i përçojmë 2 mesazhe kryesore.

“Së pari, që historia të mos harrohet, sepse na përsëritet. Së dyti, të dhurojmë, të shpëtojmë jetë”, theksoi Vitia. Siç njofton komuna e Prishtinës përmes një komunikate për media, ai u bëri thirrje të gjithë qytetarëve të shëndetshëm që të dhurojnë gjak në mënyrë që t’iu dalin në ndihmë të gjithë atyre që kanë nevojë.

Banori i lagjes Sofalia, Enver Redenica, falënderoi Komunën e Prishtinës për organizimin e këtij aktiviteti. “Duke i kujtuar ata që nuk janë në mesin tonë, po tentojmë t’iu shërbejmë atyre që kanë nevojë. I falënderoj të gjithë ata që po dhurojnë gjak, duke dëshiruar që numri i tyre të rritet edhe më shumë në të ardhmen”, tha Redenica. /KosovaPress/