Në Kuvendin e Kosovës sot është mbajtur një seancë ku është folur mbi të drejtat e gruas dhe dhunës në familje.
Propozuesja e këtij debati, deputetja e Vetëvendosjes Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, ka deklaruar se shteti është përgjegjës për dhunën në familje.
Ajo ka shtuar se dhuna në familje përbën shkelje të të drejtave të njeriut, derisa kjo shkelje ka ndikuar në mbrojtjen e të drejtës së personit për jetën, të drejtën për mjete efektive të garantuar me konventën ndërkombëtare dhe Kushtetutën.
“Janë bërë dhjetë vite nga hyrja në fuqi e ligjit për dhunën në familje, nga viti 2008 e deri me sot me shumë se 15 gra janë vra, mbi 20 mijë gra kanë raportuar dhunën në familje, ndërsa mbi 68 për qind e grave kanë përjetuar dhunë në forma të ndryshme. Jemi të sigurt se drejtësia për secilën grua është e stërvonuar me vet faktin se sa lëndë janë trajtuar nga ana e drejtësisë. Edhe ato pak raste që janë trajtuar vendimet kanë qenë shumë të buta në krahasim me krimin e bërë në familje. Statistikat mbi dhunën në familje e dëshmojnë këtë gjendje. Nga janari deri në dhjetor 2017 janë evidentuar 1196 raste të dhunës në familje”, tha Kollçaku.
Ndërsa, kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, theksoi se Qeveria që ai drejton do të jetë përkrah familjeve për të ndalë dhunën në familje.
“Detyra ime sot është të them se Qeveria e vendit, institucionet e vendit e ndjejnë përgjegjësinë, barrën që iu takon, detyrat që i kanë që dhuna në familjet tona të ndalet, mos të ndodh dhe e përshëndesim këtë seancë, debat parlamentar. Do t’i mbështesim ato konkluzione që do t’i aprovoni, nëse i aprovoni”, u shpreh Haradinaj. /Gazeta Shneta/