162 punëtorë shëndetësorë të cilët ishin punësuar pas një marrëveshje ndërmjet komunës së Ferizajt dhe organizatës Caritas Kosova, do të mbesin pa punë nga 1 janari.
Këtë e ka konfirmuar drejtori i Shëndetësisë në këtë komunë, Besnik Berisha, i cili ka thënë se ndërprerja e punës do të bëhet me rekomandim të Caritasit, raporton TV Tema.
Berisha, fajin për këtë ia ka hedhur qeverisjes së kaluar nga ish-kryetari Muharrem Svarqa.
“Nuk është faji i pushtetit tonë, por as i Caritas Kosovës, por është një keqmenaxhim i pushtetit të kaluar që ka futur në këtë kontratë njerëz që nuk i plotësojnë kriteret për me qenë punëtorë në Qendrat e Mjekësisë Familjare, përkatësisht në kujdesin primar shëndetësor. Janë lënë borxhe të mëdha dhe për këtë arsye edhe Caritas Kosova ka rekomanduar që të ndërpresim kontratën për shkak se janë 330 mijë euro borxh”, ka deklaruar Berisha.
Ai ka shtuar se pagesa e borxhit do të jetë prioritet i komunës, por sipas tij pushteti i kaluar ka keqpërdorur këtë marrëveshje dhe ka punësuar njerëz pa dijeninë e Caritasit.
Berisha ka thënë se gjatë muajit janar do të formohet një komision, i cili do t’i shqyrtoj veç e veç kontratat e këtyre punëtorëve të angazhuar përmes Caritasit.
“Komisioni do të bëhet prej QKMF-së, prej këshillit drejtues, do të caktohen njerëz dhe do t’i identifikojnë të gjithë ata që janë të certifikuar, kanë një përvojë dhe meritojnë që të jenë në këtë kontratë. Ndryshe, të gjithë ata që janë ardh në tetor të këtij viti janë punëtorë të angazhuar veç për çështje elektorale. Përzgjedhja do të bëhet në bazë të nevojave që i ka shëndetësia në Ferizaj”, tha Berisha.
Kryetarja e Sindikatës së Shëndetësisë në Ferizaj, Tevide Imeri, ka paralajmëruar se shërbimet primare do të përballen me vështirësi pas largimit të këtyre punëtorëve. Ajo ka kërkuar që t’u bëhet një zgjidhje.