Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka ofruar një shpërblim prej 18 mijë eurosh për secilën familje që lind fëmijën e katërt, për shkak të shkallës së natalitetit të ulët në shtetin sërb.
Kryetari i Partisë Progresive Serbe ka paralajmëruar se nëse brenda katër dekadave populli serb nuk fokusohet në shtimin e popullsisë, kombi serb mund të zhduket.
Madje, për këtë problematikë, siç thotë ai, ka vënë edhe shpërblime të majme për popullatën serbe, shkruan media serbe “Blic.rs”, transmeton Gazeta Express.
“Për fëmijën e parë do të jepen 100 mijë dinar, për fëmijën e dytë do të jepen 10 mijë dinarë në muaj përgjatë dy viteve, për fëmijën e tretë në muaj do të jepen 12 mijë dinarë përgjatë 10 viteve, ndërsa për fëmijën e katërt do të jepen 18 mijë euro”, u ka premtuar presidenti i Serbisë, popullit të tij.
Duke prezantuar të dhënat që tregojnë se numri i fëmijëve të lindur në Serbi është 1.44 për qind ndërkohë që për shtimin normal nevojiten edhe 0.8 për qind më tepër, Vuçiç thekson se numri i fëmijëve të sapolindur në Deçan u rrit në 262 foshnja ndërsa në Milanovc të Epërm kanë vdekur 308 persona.
Siç shpjegoi ai, në varësi të çështjes së Kosovës, Serbia deri në vitin 2060 do të ketë 5 milionë banorë dhe për këtë fajtorë nuk janë as Amerika e as Bashkimi Evropian, por vetë serbët.