Gjatë tre muajve të parë të këtij viti, kanë lindur 2470 fëmijë, derisa numri i vdekjeve të bebeve ka arritur në 24, sipas raportit të klinikës së Neonatologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Ushtruesi i Detyrës së Drejtorit të kësaj klinike, dr. Xhevdet Gojnovci, thotë se ky numër është 9.8 promil dhe në nivel me vendet e rajonit, shkruan Gazeta Shneta.
Ai thotë se vdekshmëria te foshnjat me peshë 500 deri 999 gramë, është shumë e lartë me mbi 80 për qind dhe sipas tij, mbijetesa e tyre është e vështirë edhe në vendet me mjekësi bashkëkohore.
“Edhe nëse mbijetojnë, 75 për qind e rasteve mbesin me invaliditet”, deklaron Gojnovci.
Ai rendit katër shkaqet kryesore që shkaktojnë vdekjet e foshnjave:
Perinatale ( Asfiksioni , Hemoragjit intracerebrale etj)
Prematuriteti me komplikime
Anomalit (të zemrës , multisistemike , gjenetke etj)
Infeksionet
Doktori tregon tutje se në tre mujorin e parë të këtij viti, 231 foshnje kanë lindur premature, që është rreth 10 për qind e numrit të përgjithshëm.
“90 për qind e foshnjave premature që janë trajtuar në Klinikën e Neonatologjisë gjatë këtij tremujorit kanë qenë në gjendje të mirë shëndetësore”, thotë ai.
Sipas Gojnovcit, vetëm pesë raste janë referuar për trajtim pas skriningut të retinopatisë në Oftalmologji. /Gazeta Shneta/