Tridhjetë mjekë amerikanë kanë ardhur në Kosovë për dy arsye. Ata po duan që të lidhen shpirtërisht me njerëzit që jetojnë këtu, për ç’gjë nuk do ta kenë të vështirë marrë parasyshë simpatinë e shqiptarëve ndaj amerikanëve.
Dhe e dyta, mjekët e përtej atlantikut po duan që të investojnë në edukimin e kolegëve të tyre dhe shëndetësinë e Kosovës, shkruan Gazeta Shneta.
Amerikanët sot ia kanë mësyrë fshatrave të Suharekës ku po takohen me pacientë të cilët përballen me sëmundje të ndryshme. Ata janë të interesuar të dinë se nga cilat sëmundje vuajnë më së shumti kosovarët si dhe cilat prej tyre janë të pashërueshme në Kosovë.
Mjekët e SHBA-së të cilët kanë ardhur në vendin tonë nën organizimin e organizatës ‘Kosovo Hope’, do të vazhdojnë vizitat edhe nesër në Suharekë, ndërsa deri të premten do të shkojnë edhe në Vushtrri e Dragash.
‘Kosovo Hope’ është themeluar në vitin 2008 nga Berat Gegaj dhe bashkëshortja e tij, me qëllim që të dërgojnë nxënës nga Kosova në Amerikë.
Por pak vite më vonë, qëllimet e organizatës janë zgjeruar pas një rasti të një sëmundjeje që kishte vëllai i Beratit.
“Vëllai im ishte i sëmurë dhe në Kosovë mjekët i thanë se duhej ta amputonte dorën pasi nuk kishte shërim. Ne e dërguam në Amerikë ku u shërua dhe kjo më bëri të mendoj se si mund të gjejmë mënyrë për të investuar në shëndetësinë e Kosovës”, tregon Gegaj.
Gjatë ditës së djeshme mjekët amerikën dhe SHSKUK-ja kanë nënshkruar një memorandum bashkëpunimi, sipas të cilit do të dërgohen mjekët kosovarë për trajnime në spitalin Dekalb Medical Center në SHBA.
“Marrëveshja do të fillojë së zbatuari me dërgimin e disa mjekëve kosovarë në Amerikë për trajnime. Ende nuk kemi vendosur se çfarë profile do t’i dërgojmë. Do të jenë profile të cilat do të ketë nevojë më shumë për pacientët”.
“Ndërsa poashtu do të sjellim disa kirurg amerikanë në Kosovë të cilët do të vijnë këtu për të kryer operacione. Nëse ne e dërgojmë një pacient jashtë Kosovës, po shohim se po kërkohen para deri 100 mijë euro. Ndërsa nëse i sjellim mjekët amerikanë, do të kushtojë ndoshta rreth 50 mijë euro për një muaj dhe do të kryhen 50 deri 100 operacione”, ka deklaruar Gegaj për Gazeta Shneta.
Ai thotë se për këto plane ka përkrahje edhe nga SHSKUK-ja dhe bashkë me mjekët do të shihen mundësitë për të sjellë edhe ndonjë donacion në mënyrë që ata të kenë kushte më të mira për t’i kryer ndërhyrjet.
Komplet kostoja e këtij projekti do të mbulohet nga ‘Kosovo Hope’, e cila aktualisht është duke planifikuar ndërtimin e një qendre të madhe kulturore për të rinjtë e Kosovës. /Gazeta Shneta/