Në Spitalin e Vushtrrisë, të njohur me emrin “Sheikh Zayed”, një person ka mbajtur dy pozita, së paku gjatë tërë vitit 2016. Drejtori i Administratës në këtë institucion, Mujë Ferati, kryen edhe punë të prokurimit që janë të lidhura me spitalin dhe bën po ashtu kalkulimin e kujdestarive.
Por, sipas ligjeve të Kosovës, pozitat e zyrtarëve financiar nuk mund të mbulohen nga stafi i cili është i angazhuar me funksione tjera në institucion.
Sipas Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA), Mujë Ferati mban më shumë se dy pozita ne Spitalin e Vushtrrisë, shkruan Insajderi.
Sipas Auditorit të Përgjithshëm, mbulimi i pozitave të zyrtarëve financiar nga stafi i cili kryen edhe detyra tjera ne organizatë ndikon në funksionimin jo adekuat të kontrolleve të brendshme gjatë kryerjes së aktiviteteve operacionale.
Auditori i Përgjithshëm, përmes një raporti financiar për Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK), për vitin 2016, ka rekomanduar bordin drejtues dhe Drejtorin e Përgjithshëm të ShSKUK-së në bashkëpunim me Drejtorin e Spitalit në Vushtrri duhet të ndërmarrin veprimet e nevojshme për të siguruar ndarje të duhur të detyrave dhe përgjegjësive.