Mjekët dhe sistemi shëndetësor britanik mund të përballen me padi për neglizhencë mjekësore për shkak të gabimeve të bëra nga Sistemet e Inteligjencës Artificiale (AI), paralajmëron një raport i ri i Shoqatës së Mbrojtjes Mjekësore (MPS).
Sipas legjislacionit aktual në Mbretërinë e Bashkuar, përgjegjësia ligjore për dëmet ose vdekjet e pacientëve mund të bjerë mbi mjekët dhe Shërbimin Shëndetësor Kombëtar (NHS), edhe kur vendimet e gabuara janë marrë nga programe të inteligjencës artificiale, shkruan burimi The Guardian transmeton Gazeta Shneta.
Shoqata MPS paralajmëron se profesionistët shëndetësorë rrezikojnë të bëhen “objektivi kryesor” i padive, ndërsa kompanitë që zhvillojnë këto teknologji mund të shmangin përgjegjësinë.
Përdorimi i AI-së në NHS po zgjerohet me shpejtësi. Teknologjia përdoret për analizimin e radiografive dhe skanimeve, përmbledhjen e konsultave mes mjekëve dhe pacientëve, si dhe për hartimin e dokumenteve dhe letrave mjekësore.
Raporti sjell shembuj konkretë të rrezikut. Një sistem AI mund të mos identifikojë një tumor në mushkëri gjatë analizës së një radiografie, duke vonuar trajtimin dhe duke rritur rrezikun e vdekjes së pacientit. Në një rast tjetër, AI mund të rekomandojë gabimisht rritjen e dozës së një ilaçi hollues gjaku, duke shkaktuar hemorragji serioze që kërkojnë ndërhyrje kirurgjikale urgjente.
Për këtë arsye, MPS kërkon që qeveria britanike t’i klasifikojë sistemet e inteligjencës artificiale si produkte sipas ligjit për mbrojtjen e konsumatorit, në mënyrë që përgjegjësia të ndahet edhe me zhvilluesit dhe prodhuesit e teknologjisë.
Ekspertët paralajmërojnë se mungesa e rregullave të qarta mund të dëmtojë besimin e publikut ndaj inteligjencës artificiale në shëndetësi.
Ndërkohë, autoritetet britanike kanë bërë të ditur se po përgatisin udhëzime të reja për përcaktimin e përgjegjësisë ligjore në rastet kur AI përdoret në trajtimin dhe diagnostikimin e pacientëve. /Gazeta Shneta/


