Fitim Sadiku nga organizata Action for Mothers and Children (AMC) dhe Evidence Synthesis Group (ESG) në Kosovë është emëruar komisioner në Komisionin e revistës prestigjioze ndërkombëtare “The Lancet Rheumatology”.
Komisioni do të zhvillojë rekomandime globale për shëndetin riprodhues dhe planifikimin familjar te pacientët me sëmundje kronike imune dhe reumatike. Kjo fushë mbetet ende e pamjaftueshme në literaturën shkencore, ndonëse pacientët me sëmundje kronike imune – reumatike shpesh përballen me sfida të shumta.
Përmes analizës së evidencës shkencore dhe perspektivave lokale të vendeve pjesëmarrëse, komisioni do të hartojë rekomandime të bazuara në prova shkencore, të cilat synojnë të përmirësojnë kujdesin dhe menaxhimin e shëndetit riprodhues të këtyre pacientëve në nivel global.
Komisioni përbëhet nga ekspertë dhe hulumtues me renome ndërkombëtare nga më shumë se 15 vende të botës, përfshirë Japoninë, Mbretërinë e Bashkuar, Danimarkën, Italinë, Suedinë, Spanjën, Rumaninë, Zvicrën, Belgjikën, Gjermaninë.
Ky angazhim shënon një sukses të rëndësishëm për komunitetin shkencor dhe shëndetësor të Kosovës, duke e vendosur vendin në mesin e kontribuuesve në një proces që pritet të ndikojë në përmirësimin e kujdesit shëndetësor për pacientët me sëmundje reumatike në mbarë botën.


