Një diskutim i ashpër ka ndodhur sot në korridorin e Kardiologjisë Invazive në QKUK.
Drejtori i SHSKUK-së Dr. Basri Sejdiu është përballur me drejtorin e Klinikës së Reumatologjisë, Dr. Afrim Gashi. Ky i fundit, siç shihet në videon⬇ e siguruar nga Gazeta Shneta, ka përdorur gjuhë të ashpër ndaj Sejdiut.
Një takim paraprak duket se i ka paraprirë këtij muhabeti të acaruar ndërmjet mjekëve.
Gashi i afrohet Sejdiut dhe i thotë se kjo çështje rregullohet si të dojë ai dhe e paralajmëron që nuk frikësohet as nga Kadri Veseli e as nga Hashim Thaçi.
“Ndash me Kadrinë ndash me Hashimin, nuk lodhna për këtë punë. Unë i di disa gjëra më mirë se ti. Jam më profesionist se ti”, i thotë ky mjek, Sejdiut.
Gashi më pas largohet, për t’u kthyer sërish në korridor ku vazhdon përplasja verbale.
Sejdiu duke zgjatur dorën nga distanca, insiston që diskutimi të mos vazhdojë në publik. Kjo e acaron edhe më shumë Gashin, kur ky i kërkon që të mos ia bëjë me dorë teksa vet ia drejton gishtin dhe i afrohet ballë për ballë.
“Dorën mos ma qo, ja ja me mu dorë mos gabo me qu, edhe pse je drejtor dorën mos ma qo. Ti je i fuqishëm por dorën mos me qo”, thotë kardiologu.
Drejtori i SHSKUK-së, Basri Sejdiu, ka thënë për Gazeta Shneta se kjo përplasje ka ndodhur për shkak të planeve për ta zhvendosur një pjesë të Kardiologjisë tek Dializa.
Ai mohon të kenë pasur ndonjë konflikt për këtë çështje.
Dr. Afrim Gashi i kontaktuar nga Gazeta Shneta nuk ka pranuar të komentojë asgjë në lidhje me rastin. /Gazeta Shneta/