Aftësia e femrës për të ushqyer me gji është gjenetike

2017-03-08 në ora 10:58

Të ushqyerit me gji është gjenetike! Ky është përfundimi që ka dalë nga një studim i kryer nga studiuesit e “Penn state of Medicine”.

Ata shprehen se nëse nëna has vështirësi në të ushqyerit me gji ka shumë mundësi që ajo të ketë një mutacion (keqformim) gjenetik në proteinën e quajtur ZnT2 e cila mund të bllokojë zhvillimin e gjëndrave të qumështit, dhe për pasojë të vështirësojë aftësinë e disa grave për të prodhuar mjaftueshëm qumësht.

Ky mutacion do të ndikojë gjithashtu edhe në përbërjen e qumështit të gjirit, duke ulur nivelin e përbërësve si zinku dhe yndyra, pra duke e bërë atë jo të përshtatshëm për një ushqyerje të mirë të fëmijës.

Si ta kapërcejmë këtë problem?

Zinku është elementi më kryesor që ndikon në zhvillimin e gjëndrave të qumështit por edhe në cilësinë e tij.

Sipas Shannon Kelleher (personi që ishte në krye të studimit), mutacioni i proteinës ZnT2 mund të identifikohet nga mjekët qysh në shtatzëni, dhe për pasojë gruas mund t’i jepet ndihma e duhur deri në momentin e lindjes, por diçka e tillë mbetet ende për t’u përfunduar.

Ndërkaq gruaja duhet të dijë se aftësia e saj për të ushqyer me gji është tek gjenet e saj dhe ndonjëherë edhe pse përpjekjet janë të mëdha gjidhënia nuk rezulton të jetë efektive.

Përsa i përket nënave që janë në gjendje të ushqejnë fëmijën e tyre me gji, duhet të dinë se organizata botërore e shëndetësisë e mbështet gjidhënien pa asnjë shtesë tjetër për 6-të muajt e parë.

Më pas fëmijës duhet të fillohen t’i prezantohen ushqimet e ngurta sipas një renditje të caktuar.