Ajri i ndotur rrezikon shtatzëninë

2017-04-08 në ora 18:01

Kur qyteti është shumë i ndotur dhe ajri që thithim nuk është i pastër, të parët që i ndiejnë këto anomali janë bebet në barkun e nënave shtatzënë.

Ndoshta për këtë arsye, rreziku i lindjeve të parakohshme rritet me 30 për qind për gratë që i kalojnë shtatzënitë në zonat e prekura nga ndotja atmosferike.

Ky është përfundimi i dalë nga një studim kalifornian për revistën “Environmental Health”.

Studimi

Janë gjithmonë e më të shumta studimet që vënë në dukje lidhjen mes ekspozimit ndaj smogut dhe komplikacioneve në shtatzëni, si lindja e parakohshme dhe fëmijët nënpeshë.

Për ta sqaruar më mirë këtë lidhje, kërkuesit e Universitetit të Kalifornisë menduan të zhvillonin një studim të gjerë epidemiologjik në kontenë e Los Anxhelosit, një nga metropolet më të ndotura të SHBA. Për ta bërë këtë, mblodhën të dhënat relative të 100 mijë të sapolindurve mes vitit 2004 dhe 2006, përreth një rrezeje prej 8 kilometrash nga stacioni i monitorimit të cilësisë së ajrit të metropolit amerikan.

Në fund, ata i kryqëzuan këto informacione me të dhënat mbi përmbajtjen e smogut në ajër.

Shifrat

Nga analiza statistikore doli se ekspozimi ndaj ndotjes atmosferike mund të përfaqësojë një faktor rreziku që shkurton javët e një shtatzënie normale. Mes ndotjeve më të rrezikshme janë hidrokarburet policiklikearomatike, të prodhuara nga djegia e derivateve të naftës. Pikërisht kjo mund të lidhet me një rrije prej 30 përqindësh të lindjeve të parakohshme te nënat shtatzënë.

Substanca të tjera toksike dhe pluhurat nga shkarkimet e mbetjeve lidhen me rritje të rrezikut prej 10 përqindësh, ndërsa grimcat e nitratit të amonit, për shkak të reaksioneve kimike që ndodhin në atmosferë e rrisin edhe me 21 për qind.

Përqendrimet e këtyre substancave janë më të mëdha në periudhën e dimrit dhe më të vogla në zonat afër detit, duke treguar edhe një herë se pozicioni gjeografik dhe kushtet meteorologjike lokale luajnë rol thelbësor në përhapjen e ndotjes.