Agjencioni Kosovar për Produkte dhe Pajisje Medicinale i ka dhënë licencë prodhimi kompanisë “Lindi” e cila furnizonte spitalet jashtëligjshëm me oksigjen.
Në fund të muajit prill AKPM e ka licencuar kompaninë “Lindi” me një licencë prodhimi të përkohshme deri më 16 tetor të këtij viti, shkruan Gazeta Shneta.
Kjo licencë mund të përdoret për të prodhuar gaz medicinal në Kosovë. Gazeta ka kërkuar sqarime nga AKPM për këtë autorizim, por kryeshefi Ardian Rugova nuk ka kthyer përgjigje.
Rugova nuk ka dhënë sqarime as në pyetjet pse është licencuar kjo kompani, kur e njëjta nuk ka Autorizim Marketing për importimin e oksigjenit medicinal në Kosovë.
Ndërkaq Gazeta ka pyetur edhe kompaninë se nga cila kompani do të furnizohen me oksigjen, por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.
Kompania “Lindi” kishte furnizuar spitalet rajonale me oksigjen pa licencë. Këtë e kishin pranuar së paku menaxherët e spitalit të Vushtrrisë vitin e kaluar. /Gazeta Shneta/