Më shumë se 1,300 pacientë në muaj në Angli po humbin jetën si pasojë e pritjeve të gjata në departamentet e urgjencës (A&E), sipas një analize të re të publikuar nga Kolegji Mbretëror i Mjekësisë Emergjente (RCEM). Të dhënat tregojnë se numri i vdekjeve të lidhura me vonesat është rritur dhjetëfish gjatë dekadës së fundit.
Sipas raportit, gjatë vitit 2025 janë regjistruar rreth 15,860 vdekje të tepërta të lidhura me pritjet e gjata në urgjencë, krahasuar me vetëm 1,657 raste në vitin 2015. Kjo përkthehet në më shumë se 300 vdekje çdo javë, shkruan burimi The Guardian transmeton Gazeta Shneta.
Vlerësimet bazohen në një studim të vitit 2021 që analizoi mbi pesë milionë pacientë të Shërbimit Shëndetësor Kombëtar (NHS).
Studimi zbuloi se për çdo 72 pacientë që prisnin nga tetë deri në 12 orë në urgjencë për t’u shtruar në spital, regjistrohej një vdekje shtesë. Rreziku për jetën fillonte të rritej pas pesë orësh pritje.
Presidenti i kolegjit, Dr. Ian Higginson, tha se sistemi po dështon në kujdesin ndaj pacientëve dhe kritikoi mungesën e masave efektive për të adresuar shkaqet e krizës. Ai paralajmëroi se fokusi në statistika afatshkurtra dhe jo te pacientët më të rrezikuar po përkeqëson situatën.
Edhe organizatat e infermierëve dhe mjekëve e kanë cilësuar gjendjen si “katastrofë” dhe “turp kombëtar”, duke kërkuar investime urgjente në shtretër spitalorë, personel infermieror, kujdes parësor dhe shërbime sociale.
Nga ana tjetër, qeveria britanike ka njoftuar investime prej mbi 252 milionë euro për hapjen dhe zgjerimin e 40 qendrave të trajtimit emergjent në të njëjtën ditë, me synimin për të ulur presionin mbi urgjencat dhe për të reduktuar kohën e pritjes së pacientëve. /Gazeta Shneta/


