Albin Kurtit i bie gripi, shtrihet në intensiven e Infektives në QKUK

2019-02-26 në ora 13:00

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti është prekur nga gripi. Sot në mëngjes ai është dërguar në Klinikën Infektive në QKUK nga bashkëpunëtorët e tij të VV-së.

Arben Vitia nga VV ka thënë se gjendja e Kurtit është e mirë. Ai ka treguar se e kanë sjellë në mëngjes në Infektivë pasi ka pasur ethe dhe temperaturë, shkruan Gazeta Shneta.

“Gjendja e Albinit është shumë e mirë. Ka pas disa shqetësime të natyrës virale me ethe dhe temperaturë. E kemi sjellë sot në mëngjes në QKUK, janë marr analizat e duhura dhe po i presim rezultatet. Gjendja e tij është e mirë dhe varësisht nga rezultatet dhe vendimi i mjekëve do të procedojmë tutje”, ka deklaruar Vitia.

Ai ka theksuar se Kurti nuk vuan nga ndonjë sëmundje tjetër dhe nuk pi duhan as alkool. “Ai nuk vuan nga ndonjë sëmundje tjetër, nuk pin duhan as alkool. Mjekët dhe infermierët kanë treguar një kujdes të jashtëzakonshëm. Deri më tani ka marr vetëm terapi simptomatike dhe ajo ka qenë në klinikë”, ka thënë Vitia.

Drejtori i Klinikës Infektive, Dr. Hamdi Ramadani, ka folur për gjendjen e pacientit të tij. Ai ka thënë se dyshohet se Kurti është prekur nga virusi sezonal, por ende nuk dihet se çfarë tipi është.

“Dyshohet se ai është i prekur nga gripi. Aktualisht po trajtohet nga mjekët e klinikës në repartin e intensivës. Zotëri Kurti është në gjendje stabile. Analizat dhe parametrat vital i ka mirë, ndonëse po merr edhe oksigjeno terapi. Po shpresojmë që ai dhe pacientët tjerë do të përmirësohen”, ka deklaruar Ramadani.

Kurtin po e shoqërojnë bashkëpunëtorë nga partia e tij gjatë kohës sa po qëndron në spital, ndërsa atë e ka vizituar edhe Drejtori i Përgjithshëm i SHSKUK-së, Dr. Basri Sejdiu. /Gazeta Shneta/