Analizat biokimike në QKUK, nuk i njohin as shtetet e rajonit (Video)

2017-03-17 në ora 10:34

Specialisti i Biokimisë, Sadik Gashi, ka bërë një prezantim para specializantëve të klinikave të QKUK-së.

Gashi ka deklaruar se analizat që bëhen në QKUK, nuk i njohin as shtetet e rajonit si Shqipëria, Mali i Zi apo Maqedonia.

Gashi ka gjetur mjaft dobësi në klinikën e Biokimisë mjekësore, duke thënë se ka mungesë të trajnimit profesional dhe kryerja e analizave është minimale.

Edhe Shkendije Tahiraj i është dashur të presë 5 vite për të kryer punën si specialiste.

“Janë kuadrot dhe nuk u jepet mundësia ta ushtrojnë profesionin e tyre. Kjo gjendje është shumë e keqe”, ka deklaruar Tahiraj.

Anëtari i Bordit të SHSKUK-së, Shemsi Veseli, fajin për këtë gjendje ia ka hedhur Ministrisë së Shëndetësisë dhe Qeverisë.

“Nuk është faji i kolegëve, por i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Qeverisë për mungesë të menaxhimit të aspektin e buxhetit”, ka deklaruar Veseli.

E Faik Hoti nga MSH-ja ka deklaruar se së shpejti do të hapet konkursi për specialistët nëpër të gjitha klinikat. /KlanKosova