Qindra ventilatorë kinezë të blerë nga qeveria e Britanisë së Madhe për të ndihmuar Shërbimin Kombëtar të Shëndetit për trajtimin e pacientëve në gjendje të rëndë nga koronavirusi, janë hequr nga përdorimi për shkak se nuk i plotësojnë standardet, nuk janë të besueshëm dhe potencialisht të rrezikshëm.
Çdo pajisje e pranuar nga Kina gjatë muajit prill është refuzuar nga klinicistët për shkak të shqetësimeve serioze se “rrezikojnë seriozisht pacientët, përfshirë edhe vdekjen e tyre”, nëse vihen në përdorim, shkruan independent.co.uk, transmeton Gazeta Shneta.
Qeveria e Britanisë së Madhe kishte paralajmëruar ardhjen e ventilatorëve më 4 prill, si një hap i rëndësishëm për luftën kundër Covid-19. Madje ministri Michael Gove kishte falënderuar Kinën për përkrahje për sigurimin e këtyre pajisjeve.
Por mjekët në West Midland, ku ishin dërguar disa nga ventilatorët, i kanë shkruar sekretarit të shëndetësisë Matt Hancock se këto pajisje duhet të zëvendësoheshin. “Ne besojmë se nëse përdoren këto pajisje, mund të dëmtohet seriozisht shëndeti i pacientëve, duke përfshirë edhe vdekjen e tyre”, kanë shkruar një anesteziolog i moshuar në letrën e tij më 13 prill.
“Ne po presim tërheqjen dhe zëvendësimin e tyre me pajisje më të mira për të siguruar ventilim të sigurtë në kujdesin intensiv për pacientët tanë”.
Mjekët paralajmëruan se furnizimi me oksigjen i pajisjeve ishte “i ndryshueshëm dhe jo i besueshëm”, pasi cilësia e prodhimit të tyre ishte “bazike”.
Ventilatorët ishin të modelit Shangrila 510s të prodhuar nga kompania “Aeonmed” dhe ishin të dizejnuar për përdorim në ambulanca dhe sipas mjekëve nuk ishin për përdorim sipas standardeve të BE-së. /Gazeta Shneta/