Ankesat e qytetarëve ashpërsojnë masat për mjekët e QKUK-së që mungojnë në punë

2018-08-10 në ora 11:03

Nuk janë të rralla ankesat për mungesën e mjekëve në vendin e punës, nga 500 pre tyre sa janë adresuar në Shoqatën për të Drejtat e Pacientëve të Kosovës, 38 për qind e tyre kanë qenë për mungesë të mjekëve.

“Përgjegjësia dhe llogaridhënia e stafit mjekësor është kyçe për rregullimin e sistemit shëndetësor. Ka pasur ankesa për shembull në Klinikën Gjinekologjike ku pacientja ka pësuar dëmtim shëndetësor, si pasojë e mungesës së mjekut kujdestar, e që asnjë mjek tjetër nuk ka qenë në ambulancë, por që fatmirësisht lëndimi i pacientes nuk ka qenë i rëndë. Me ankesë të pacientes dhe vërtetimit të rastit, mjeku është suspenduar për një kohë nga puna”, ka thënë Besim Kodra, kryetar i kësaj shoqate.

Në anën tjetër, QKUK ka identifikur rreth 200 raste ku është keqpërdorur kartelat hyrje-dalje në punë. Me inspektimin që ka bërë drejtori i këtij institucioni, Basri Sejdiu, nuk ka gjetur disa mjekë dhe pacientë në vendin e punës.

Deri më tani 3 mjekë janë suspenduar nga puna, 3 të tjerë janë dërguar në komisionin disiplinor duke përfshirë këtu edhe 2 infermierët.

Ndërsa, Albatrit Matoshi, këshilltar për media i ministrit të Shëndetësisë, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se ministri Uran Ismaili prej marrjes së mandatit ka pasur për qëllim përmirësimin e kushteve.

“Por, janë zhgënjyese lajmet që vijnë nga disa klinika për mosrespektim të orarit të punës, ndonëse bëhet fjalë për një numër të vogël të profesionistëve shëndetësorë. Është marrë aksion për monitorimin e personelit mjekësor, për respektimin e vendit të punës nga Bordi i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar. Ata që nuk respektojnë orarin, do të sanksionohen sipas procedurave ligjore në fuqi,” ka thënë më tej Matoshi.

Ai ka shtuar se ky lloj monitorimi që ka nisur në QKUK do të vazhdojë në tërë Kosovën. ‘’Ne jemi të bindur që shumica e mjekëve e bëjnë punën e tyre me nder dhe nuk do të lejojmë një pakicë t’i njollosë ata”, ka theksuar Matoshi.

Derisa zyrtarë nga Ministria e Shëndetësisë kanë thënë se në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, nëpërmjet linjës falas, kanë pranuar rreth 60 ankesa, derisa 90 përqind e tyre deri më tani janë proceduar.