Antibiotikët gjatë shtatzënisë dyfishojnë rrezikun për abort

2017-05-03 në ora 10:42

Antibiotikët e zakonshëm mund të shkaktojnë abort nëse merren në fazat e para të shtatzënisë, ka zbuluar një studim i fundit.

Edhe pse shumë lloje të antibiotikëve thuhet se janë të sigurt, disa forma të caktuara lidhen me një rritje të konsiderueshme të rrezikut.

Ekspertët thonë se lidhja mes tyre është sidomos shqetësuese duke qenë se infeksionet janë më të zakonshme gjatë shtatzënisë, prandaj gratë duhet të marrin këto ilaçe. Shkencëtarët kanadezë, të cilët kanë monitoruar më shumë se 90 mijë gra shtatzëna, zbuluan se disa antibiotikë dyfishojnë rrezikun e abortit, shkruan Shëndeti.

Mjekët kanë paralajmëruar gjithmonë se antibiotikët mund të rrisin rrezikun e lindjes së parakohshme ose foshnja mund të lindë me peshë të vogël trupore, ndërsa ky është studimi i parë që vërteton lidhjen e antibiotikëve me abortin.

Gjithsesi ekspertët theksojnë se shumë antibiotikë janë të sigurt për t’u marrë gjatë shtatzënisë dhe është e rrezikshme nëse infeksionet lihen pa trajtuar.

Megjithatë, studimi i publikuar tek Revista e Shoqatës Mjekësore Kanadeze sugjeron se duhet të tregohet kujdes në lidhje me zgjedhjen e antibiotikëve që përdoren për trajtimin e infeksioneve.