Agjencia Kundër Korrupsionit e ka detyruar ish-Sekretarin e Ministrisë së Shëndetësisë që të lë pozitën e Dekanit në Kolegjin “Rezonanca”.
Gazeta Shneta ka siguruar një vendim të AKK-së ku është trajtuar rasti i Gjocajt derisa ishte duke mbajtur pozitën e Sekretarit të Ministrisë së Shëndetësisë, drejtorit të Departamentit Shëndetësor të Burgjeve, si dhe pozitën e Dekanit në Kolegjin “Rezonanca”.
Gjocaj ishte larguar nga pozita e U.D. Sekretarit të MSH-së, pas emërimit të Ardian Mehmetajt në vend të tij nga ministri Armend Zemaj. Por mbante akoma dy pozita të tjera të larta.
“Agjencia e ka njoftuar atë se gjatë ushtrimit të funksionit si zyrtar i lartë publik respektivisht Drejtor i Departamentit, nuk mundet që njëkohësisht të mbaj edhe pozitën e Dekanit si pozitë menaxhuese në kolegj, pasi që një gjë e tillë është e ndaluar me nenin 13, paragrafi 1 të Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit”, thuhet në vendimin e AKK-së.
Pas këtij njoftimi Gjocaj ka vendosur që të pezulloj pozitën e tij të Dekanit në Kolegjin “Rezonanca”, për kohë të pacaktuar. /Gazeta Shneta/