Zyra e Drejtorit të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar ka anuluar konkursin për drejtorë të dy spitaleve, atë të Vushtrrisë dhe Mitrovicës.
Lajmin për anulimin e konkursit e ka konfirmuar Zyra e Drejtorit për Gazeta Shneta. Në përgjigjen e tyre thuhet se konkursi është anuluar për shkak të mungesës së anëtarëve të Komisionit.
Por anulimi i konkursit vjen pas akuzave për politizim dhe ndikim nga Partia Demokratike e Kosovës për dy kandidatë në dy spitalet. Për këtë konkurs reaguan edhe kryetarët e komunave të Mitrovicës dhe Vushtrrisë, Agim Bahtiri dhe Xhafer Tahiri, duke akuzuar ministrin e Shëndetësisë, Uran Ismaili se po i përzgjedh kandidatët e partisë së tij në krye të spitaleve.
Për drejtor të Spitalit të Vushtrrisë kishte kandiduar Sami Istrefi, ish-drejtor Shërbimeve Publike në këtë komunë kur udhëhiqej nga PDK-ja. Istrefi ishte arrestuar për krim të organizuar në vitin 2012 nga Policia e Kosovës. Ai mori 80 pikë në testin me shkrim në konkursin për drejtor, duke lënë prapa edhe doktorët.
Njëjtë ndodhi edhe në pozitën për drejtor të Spitalit të Mitrovicës ku Mimoza Zeqiri poashtu doli e para në testin me shkrim. Zeqiri është gruaja e Lulzim Zeqirit, këshilltar i kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli. /Gazeta Shneta/