Ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj ka dhënë një arsyetim qesharak për skandalin e furnizimit me oksigjen në Spitalin e Vushtrrisë, nga një kompani e palicencuar.
Për këtë çështje Zemaj është pyetur në Komisionin për Shëndetësi në Kuvendin e Kosovës, nga deputeti i PDK-së Bekim Haxhiu. Por përkundër deklaratave publike të menaxhmentit të Spitalit të Vushtrrisë se janë furnizuar nga një kompani e palicencuar, Zemaj ka thënë se nuk ka fakte për këtë rast, shkruan Gazeta Shneta.
“Nuk kemi informacion zyrtar, Inspektorati shëndetësor nuk ka gjetur dëshmi për këtë. Në momentin që do të kemi dëshmi do të veprojmë”, ka deklaruar Zemaj.
Në anën tjetër Zemaj është pyetur nga deputetët për mospagesën prej 300 euro shtesë për punëtorët mbështetës në spitale, si dhe për përgatitjet që po i bën MSH për valën e dytë të pandemisë.
Zemaj ka thënë se shtesat prej 300 eurove për një pjesë të profesionistëve shëndetësorë dhe punëtorët teknik do të bëhet në mënyrë retroaktive për katër muaj.
“Për pagesat prej 300 euro, është e vërtetë se punëtorët mbështetës nuk janë paguar por jemi në komunikim me ministrinë e financave, buxheti është i limituar por kjo pagesë do të jetë retroaktive në shumën që do të jetë e mundur sipas buxhetit të Kosovës për muajt korrik gusht shtator dhe tetor”, ka deklaruar Zemaj.
Sa i përket përgatitjeve për valën e dytë të pandemisë, Zemaj ka thënë se objekti i ri i Emergjencës do të adaptohet për spital Covid deri në një situatë tjetër dhe do t’i kthehet destinimit për të cilin është nisur.
Ai ka shtuar se shtatë aparatura për testime RT PCR janë në procedurë ligjore, ndërsa MSH do të blej edhe 100 mijë teste PCR, 100 mijë teste serologjike dhe 30 mijë teste rapide.
Zemaj ka deklaruar se janë në kontakte me Organizatën Botërore të Shëndetësisë për sigurimin e vaksinës. /Gazeta Shneta/