Sonte në RTK u transmetua hulumtimi disajavor i emisionit “Jeta në Kosovë” për mënyrën e avansimit të asistentëve në Fakultetin e Mjekësisë së Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.
Hulumtimi sjell rrëfimin e kallxueses, Rozafë Koliqi, doktor shkence në Farmaci Klinike, e cila nuk ka lënë derë institucionale pa kërkuar të drejtën e saj që i është mohuar nga Senati i Universiteti të Prishtinës.
E vetmja specialiste e Farmacisë Klinike në Kosovë, Rozafë Koliqi, tregon për shkeljet që ka bërë Rektorati i Universiteti të Prishtinës duke zgjedhur për asistent Naim Morinën edhe pse ajo i kishte përmbushur kriteret e Statutit të UP-së.
Në këtë hulumtim tregohet se si fitohen pozitat në Fakultetin e Mjekësisë nga kandidati Naim Morina i cili ka pranuar se ka drekuar me njerëz me ndikim në UP para se të zgjidhet asistent në lëndën Farmaci Klinike.
Hulumtimi sjell edhe dokumente e fakte të nënshkruara nga Rektori i UP-së, Marjan Dema, për të cilat Policia e Kosovës ka nisur hetime.
Po ashtu dokumentohen edhe shkeljet e tjera të konkursit për Mjekësisë për të cilat ka vendime nga Inspektorati i Arsimit.
Koliqi, cila ka punuar si Asistente në këtë lëndë nga viti 2007 deri në 2011, e kishte humbur këtë pozitë për shkak se kundërkandidati i saj, Naim Morina, tashmë kishte regjistruar doktoratën si kriter që ia mundësoi atij emërimin.
Por në janar të vitit 2015, konkursi ishte hapur sërish dhe Koliqi tashmë pothuajse kishte përfunduar doktoraturën dhe ishte më e avancuar sesa Morina, u rikthye në lëndën Farmaci Klinike me Farmakoterapi.
Ajo u emërua nga Komisioni i Recensionit, por nuk u votua në Këshillin e Fakultetit të Mjekësisë. Lënda shkoi në Senatin e UP-së, ku në herën e dytë, Koliqi u diskualifikua dhe Asistent u zgjodh Morina.
Koliqi ishte emëruar në një lëndë tjetër në të cilën nuk kishte konkurruar fare.
Çështja ka kaluar edhe në Inspektoratin e Ministrisë së Arsimit, ku është konkloduar falsifikimi i përfundimit të specializimit nga Naim Morina dhe është kërkuar rishqyrtimi i këtij vendimi.
Për më tepër ndiqeni videon. /Gazeta Shneta/