Avokati i Naser Gurit, i paraburgosur për vdekjet e dyshimta në QKUK, Bajram Tmava, ka thënë se Prokuroria nuk i ka dhënë asnjë informatë në lidhje me analizat e obduksionit.
Tmava ka deklaruar se Prokuroria i ka marr mostrat e obduksionit, por nuk dihet nëse i ka dërguar për analiza toksikologjike, shkruan Gazeta Shneta.
“Prokurori nuk po jep informata. Lënda e tij po trajtohet me konfidencë strikte”.
“Mostrat e obduksionit i ka marr prokurori, por është kërkuar që të dërgohen jashtë vendit për analiza toksikologjike. Nuk kemi asnjë informatë nëse janë dërguar apo ku janë dërguar”, ka deklaruar Tmava.
Avokati ka bërë të ditur se klientit të tij i skadon paraburgimi më 4 janar, pasi i ishte vazhduar për 2 muaj në nëntor.
Guri është arrestuar si i dyshuar për vdekjen e dyshimtë të tre pacientëve në QKUK. Kompania e tij “Bubeari Komerc”, kishte prodhuar gazin oksidul pa licencë në Kaçanik. Ky gaz është pista kryesore e hetimeve që po i zhvillon Prokuroria, si shkaku i mundshëm i vdekjes së pacientëve. /Gazeta Shneta/