Për të rritur djalin ka ndërprerë punën dhe paguhet nga sigurimet shoqërore. Por, Ervin Gjoka nga Elbasani, duke bërë këtë ka thyer një tabu; ka zëvendësuar në rolin e nënës bashkëshorten e tij Ilva, e cila vazhdon si mësuese.
“I jep biberonin për të pirë, e ndërron e të tjera. Për shkak se unë sapo fillova punë dhe nuk e përfitoja dot lejen e lindjes, për bebin kujdeset bashkëshorti”, thotë Ilva Gjoka.
Nuk e fshehin se në fillim e menduan mirë, por vendimi që morën thonë se ishtë në interesin e tyre. Gjithsesi para kameras Ervini e kishte të vështirë. Në vend të tij, rrëfen bashkëshortja.
“Po interesoheshim si mund të gjenim një zgjidhje kur pamë, realisht qeshëm, leje lindjeje për një mashkull në Shqipëri…Është mentalitet i vjetër, por me kalimin e kohës u mësua. Tani është shumë i dhënë pas fëmijës”, thotë ajo.
Ka një numër në rritje të burrave që marrin lejen e përkujdesjes ndaj fëmijëve. Sipas Institutit të Sigurimeve Shoqërore, në vitin 2016 ishin vetëm 117 raste, ndërsa vetëm në tre muajt e parë të këtij viti janë 107 meshkuj që kanë zgjedhur të përfitojnë nga pagesa e sigurimeve shoqërore për të rritur fëmijën.
Ilva dhe Ervini nuk janë të parët dhe jo rastësisht nga Elbasani. Ky qytet është i pari në numrin e baballarëve që kanë bërë këtë zgjedhje. Duket se pas Elbasanit kjo modë po shtohet në Tiranë, por në Kukës betejën e ka fituar mentaliteti.
Asnjë baba kuksian ende nuk ka guxuar të përfitojë nga kjo e drejtë ligjore, që është një praktikë gjerësisht e përdorur në Perëndim.
“Këtë të drejtë e ka çdo baba i cili është i siguruar. Arsyeja më e shpeshtë është kur gruaja ka një pagë më të madhe se burri. Ta zemë gruaja merr 100 mijë lek në muaj dhe burri merr 30 mijë, lek, është më e leverdishme ta marrë burri, që nëna mos të lerë pagën. Ne e kemi vendosur në ligj që kur nena nuk e përfiton, ta përfitojë babai”, thotë Astrid Hado, kreu i Institutit të Sigurimeve Shoqërore.
Sipas ligjit, babai mund të marrë lejen përkujdesjes ndaj fëmijës vetëm pas 63 ditësh nga lindja e bebes, kohë e cila është e detyruar të qëndrojë nëna. Por, një masë e tillë siguron që edhe gratë që lindin, të mos jenë të privuara që për shkak të natyrës të ndërpresin apo ngrijnë karrierat e tyre. /Top Channel