Ushqyerja vetëm me gji klasifikohet si mënyra më e mirë për mbajtjen e komplikacioneve të rënduara shëndetësore që mund të shfaqen gjatë vitit të parë të jetës së një foshnje. Specialistët e shëndetit publik në vendin tonë tregojnë se ushqyerja me gji e fëmijëve të porsalindur nuk duhet neglizhuar të paktën për 6 muajt e parë të rritjes së fëmijës. Vetëm në këtë formë nënat mund të largojnë nga fëmijët e tyre një sërë problemesh shëndetësore të cilat çdo vit u marrin jetën miliona foshnjave të vendeve në zhvillim.
Specialistja e shëndetit publik Daniela Nika vë në dukje se kujdesi në ushqyerjen e nënës është po aq i rëndësishëm në periudhën e dhënies së gjirit, sa dhe gjatë shtatzënisë. Kjo s’ka të bëjë vetëm me kujdesin për të mos shtuar më në peshë, por mbi të gjitha me nevojat e rritura të gruas në këtë periudhë. “Për t’u përballur qetësisht me ushqyerjen me gji, nëna ka nevojë për më shumë energji, proteina, vitamina dhe disa kripëra minerale si kalciumi, fosfori, bakri dhe zinku. Është llogaritur që për të prodhuar 700-800 ml qumësht në ditë, dieta e nënës duhet të shtohet me 500 kalori më shumë. Për të plotësuar nevojat e organizmit në këtë moment të veçantë gruaja duhet të ndjekë një diete sa me variable dhe të ekuilibruar”, sqaron Nika.
Sipas saj, dieta e nënës duhet të përbëhet nga këto elemente baze: drithërat dhe nënproduktet e tyre, frutat dhe perimet, qumështi dhe nënproduktet, peshku, mishi, veza, etj. Gjatë ushqyerjes me gji, nëna humbet deri ne 300 mg kalcium në ditë, ndaj dieta duhet të plotësohet edhe me shtesa në vitamina dhe kripëra minerale. Gjatë ushqyerjes me gji nëna duhet të hajë pak dhe shpesh, aq herë sa ushqen edhe fëmijën, pra 6-7 herë në ditë. Ajo duhet të ketë parasysh këshillat e listuara në vijim të shkrimit. “Së pari duhet të përdorë sa më shumë ujë dhe ushqime të lëngshme, pasi 87 për qind e qumështit të gjirit përbëhet nga uji. Së dyti duhet të mos heqë nga dieta e saj ditore bukën dhe makaronat, të mos heqë nga dieta e saj ditore yndyrat. Duhet të evitoje totalisht pijet alkoolike, si dhe të pijë me shumë kujdes verën, birrën, kafenë, çajin, çokollatën. më tej duhet të ketë kujdes me disa ushqime me aromë që ndikojnë në shijen e qumështit si: lakra, hudhra, qepa, specat, asparaget, erëzat.
Vetë fëmija do ta bëjë të qartë nëse këto perime i ndikojnë në shijen e qumështit. Mundësisht duhet të evitojë luleshtrydhet, pjeshkët, vezët, frutat e detit dhe shpendët e egra, pasi ato mund të japin alergji sidomos në rastet me trashëgimi për sëmundje alergjike. Nëna gjithashtu duhet të bëjë shumë kujdes me higjienën e duarve, të cilat duhet të lahen me ujë dhe sapun dhe të gjinjve, që duhet të lahen vetëm me ujë”. Kujdes duhet të bëni edhe me ilaccet, të cilat duhen përdorur vetëm me rekomandimin e mjekut. Kjo pasi thuajse të gjitha medikamentet, edhe pse në sasi minimale, kalojnë në qumështin e gjirit dhe mund të ndikojnë te fëmija, sidomos kur dozat janë të larta dhe përdoren për një kohë të gjatë./Gazeta Shneta/