Drejtori i SHSKUK-së Dr. Basri Sejdiu ka deklaruar se vdekshmëria në Klinikën e Kardiokirurgjisë me Kardiologji Invazive është rreth 3 deri 4 për qind.
“Vdekshmëria është 3-4 për qind, por disa persona qëllimisht kanë dezinformuar për qëllime të këqija. Ka pasur vdekshmëri më të madhe më herët në institucione tjera. Vdekshmëria në promila është shumë më e vogël sesa statistikat botërore me përqindje 4-5 për qind. Fatbardhësisht është arritur një stad i volitshëm me kushte dhe profesionalizëm”, ka deklaruar Sejdiu në RTK, transmeton Gazeta Shneta.
Edhe drejtori i Shërbimit klinik të Kardiokirurgjisë me Kardiologji Invazive Dr. Tefik Bekteshi ka deklaruar se vdekshmëria e rasteve që i kanë punuar është nën 4 për qind.
Sejdiu ka deklaruar se Kardiologjia Invazive ka tejkaluar edhe numrin e pacientëve të pranuar në qendrat e Sllovenisë brenda një viti me rreth 3500 procedura dhe mbi 900 stentime.
“Jemi të kënaqur sepse janë paguar shuma të mëdha parash siç e kemi pa në fatura deri 28 mijë euro, ndërsa sot trajtimi bëhet falas në klinikë. Jam falënderues ndaj të gjithëve”.
Kujtojmë se sot është mbajtur një konferencë për trajtimin e infarktit të miokardit e organizuar nga SHSKUK dhe MSH.
Ndryshe një koleg i Sejdiut dhe Bekteshit, kardiologu Dr. Gani Bajraktari para disa muajsh doli publikisht duke pretenduar se numri i vdekshmërisë në kardiologji është rritur deri në 15 për qind për shkak të ndarjes së klinikës. /Gazeta Shneta/