Kardiokirurgjia dhe Kardiologjia Invazive punojnë 24 orë në ditë në sistemin emergjent, por Tefik Bekteshi ka thënë shumë njerëz në listën e pritjes, nuk kanë nevojë për koronarografi.
Ai këto komente i bëri në emisionin Express, duke shtuar se lista e gjatë e pritjes tani është zvogëluar mjaft shumë, transmeton koha.net.
“Në nëntor kanë qenë 1052 raste në listën e pritjes. Tani janë 664 raste me sot që janë paraqitë, 70 pacientë për stentim, por s’ka urgjencë. Në atë listë gjenden njerëz që s’kanë nevojë fare. Afër 50 për qind s’kanë pas nevojë fare, të ndikuar nga mjekët me arsye të ndryshme, por të mos hyjmë në hak se ka shumë që kanë nevojë”, ka thënë ai.
Këtë listë, Bekteshi beson se QKUK mund ta largojë nëse punohet me dy salla për vetëm 3 – 4 muaj. Aktualisht ky shërbim po kryhet në vetëm një sallë për shkak se tjetra ka probleme, të cilat sipas Bekteshit, mund të rregullohen shumë shpejt, por problemi i vonesës qëndron te ligjet e prokurimit dhe tenderimit.
Për tri ditët e para që ka punuar ky shërbim me orar 24 orë në ditë, Bekteshi ka thënë se janë trajtuar 36 raste duke e arritur mesataren evropiane për një sallë. 15 prej tyre kanë pas stentime, ndërsa në një rast ka pasur vdekje.
Ai ka thënë se një servisim i plotë i aparaturës ka mjaftuar që të krijohen kushtet për punë 24 orë. Materialet dhe plotësimi me infermierë janë kushtet tjera që janë ndikuese, po ashtu, sipas Bekteshit. Bekteshi është shprehur optimist për të ardhmen duke thënë se ky projekt mund të vazhdojë pa probleme.