Qendra Klinike Universitare e Kosovës i ka shpërblyer me 367 mijë e 500 euro tri kompani me pronarë nga Podujeva, për renovime në klinika. Njëra prej kompanive fituese është edhe “Olsi Trasing” me pronar Ragip Mustafa, i njohur edhe si pronar i “Beni Donës”.
Në muajin gusht të këtij viti Qendra Klinike Universitare e Kosovë hapi tender për kryerjen e disa renovimeve në klinika në vlerë 530 mijë euro, shkruan Gazeta Shneta.
Ndërkohë në fund të muajit tetor QKUK ka publikuar njoftimin për dhënien e kontratës së ndarë në dy lote. Lot 1 në vlerë 253 mijë e 500 euro i është dhënë kompanisë “Olti Trasing SHPK” me pronar Ragip Mustafa nga Podujeva.
Mustafa ndryshe njihet si pronar i kompleksit banesor “Beni Dona” në Ulpianë të Prishtinës. Mediat më herët kanë raportuar për Mustafën si njëri nga biznesmenët që kishte përfituar më së shumti tenderë në komunën e Prishtinës kur kjo e fundit udhëhiqej nga LDK. Poashtu ai ka qenë aksionar në klubin e futbollit “Prishtina” bashkë me kryetarin e LDK-së Isa Mustafa.
Kujtojmë se aktualisht Qendra Klinike Universitare e Kosovës udhëhiqet nga ish-kandidati për deputet i LDK-së Valbon Krasniqi.
Gazeta ka kërkuar sqarime nga kompania “Olti Trasing” dhe nga QKUK për këto kontrata, por asnjëra palë nuk ka kthyer përgjigje.
Ndërkaq Lot 2 në vlerë 114 mijë euro e kanë përfituar një grup i operatorëve ekonomik të përbërë nga dy kompani “DPSH Starlin” dhe “NN Blendi Color”. Të dy kompanitë poashtu janë nga komuna e Podujevës.
QKUK përmes këtyre kontratave në vlerë 367 mijë e 500 euro do të kryej renovime të dyshmesë dhe mureve në disa klinika. Renovime të klinikave janë kryer edhe gjatë viteve të fundit nga ish-menaxhmenti i udhëhequr nga Basri Sejdiu. /Gazeta Shneta/