Organizata për Arsim, Shkencë dhe Shëndetësië KISCOMS, ka akuzuar Bordin Qendror për Edukim të Vazhdueshëm Mjekësor për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe neglizhencë e dëmtim të profesionistëve shëndetësorë.
Drejtori i KISCOMS, Xheladin Ujkani, ka publikuar një letër të cilën ia ka drejtuar ministrit në detyrë të Shëndetësisë, Imet Rrahmani. Në këtë letër, Ujkani pretendon se ky Bord i ka dëmtuar mbi 1500 profesionistë shëndetësorë nga të gjitha drejtimet.
“Ky proces i rilicencimit të profesionistëve shëndetësorë, i nisur në muajin korrik të vitit të kaluar (vitit 2016), për herë të parë pas luftës (vitit 1999), përveç se ka sjellur shumë stres e shumë probleme tek të gjithë ne- pa përjashtime, po shihet qartë se nga grupe- klane të caktuara të interesit brenda dhe jashtë Ministrisë së Shëndetësisë, po shfrytëzohet për favorizime të Institucioneve të ndryshme”, shkruan Ujkani.
Ai shton tutje se shembulli më i qartë është Organizata të cilën e drejton ai, KISCOMS.
“Kjo është e papranueshme dhe nuk do të ndalemi deri në momentin e Akreditimit të projekteve tona: Simpoziumin e parë Ndërkombëtar ‘Dita e Dentistëve’, Simpoziumin e parë Ndërkombëtar ‘Dita e Mamive’, Kongresin e VII-të Ndërkombëtar për Shkenca Mjekësore si dhe Simpoziumin e parë Ndërkombëtar ‘Dita e Infermierëve’”, ka shkruar Ujkani.
Letra e tij e plotë:
Ministrit të Shëndetësisë në detyrë, Dr. Imet Rrahmani
Ankesë për keqëpërdorim të pozitës zyrtare të Bordit Qëndror të EVM-Edukimit të Vazhdueshëm Mjekësor në MSH
I nderuar Z. Ministër i Shëndetësisë në detyrë, Dr. Imet Rrahmani,
Muajin e kaluar, më datën 24 maj 2017 dhe me datën 29 maj 2017, përmes dy shkresave zyrtare (letrave publike) dhe të protokolluar me Nr. 05-3900, në arkivën e Ministrisë së Shëndetësisë, ne ju kemi kërkuar një takim urgjent dhe ju kemi informuar në detaje për neglizhencën dhe dëmtimin që po ju bënë Bordi Qëndror i EVM-Edukimit të Vazhdueshëm Mjekësor në MSH-Ministrinë e Shëndetësisë – profesionistëve shëndetësorë, projekteve tona dhe vetë Organizatës për Arsim, Shkencë dhe Shëndetësi “KISCOMS”.
Meqenëse, deri në këto momente, ju nuk reaguat, nuk ju përgjegjët ftesës dhe kërkesës tonë publike për takim, Organizata për Arsim, Shkencë dhe Shëndetësi “KISCOMS”, duke u bazuar edhe në Nenin 13, Pika 1 dhe 2 të Udhëzimit Administrativ me Nr. 01/2016 mbi Edukimin e Vazhdueshëm Mjekësor, kësaj radhe, ju drejtohet me këtë ankesë ndaj Bordit Qëndror të EVM-Edukimit të Vazhdueshëm Mjekësor, për keqëpërdorim të pozitës zyrtare.
Këtë ankesë e bëjmë për shkak të dëmtimit të mbi 1500 kolegëve – profesionistëve shëndetësorë nga të gjitha drejtimet, të projekteve dhe vetë Organizatës për Arsim, Shkencë dhe Shëndetësi “KISCOMS” nga ana e Bordit Qëndror të EVM-Edukimit të Vazhdueshëm Mjekësor. Në dy shkresat-letrat zyrtare të protokolluara me Nr. 05-3900, i keni informatat e detajuara të ecurisë së këtij procesi.
Edhe pas këtyre dy shkresave zyrtare (letrave publike), Bordi ka vazhduar me të njëjtën papërgjegjësi, duke mbajtur mbledhjen e radhës me datën 7 qershor 2017 dhe duke injoruar në tërësi lëndën e Organizatës për Arsim, Shkencë dhe Shëndetësi “KISCOMS”. Kjo dëshmohet edhe nga Znj. Nyrtene Zhuri, administratore-zyrtare e Bordit Qëndror të EVM-Edukimit të Vazhdueshëm Mjekësor e cila thotë, citoj: “Bordi, as nuk e ka kërkuar dhe as nuk e shqyrtuar lëndën me kërkesat e KISCOMS’it”, pa dhënë asnjë sqarim pse ka ndodhur kjo dhe çka më tutje.
I nderuar Z. Ministër i Shëndetësisë në detyrë, Dr. Imet Rrahmani,
Ne kërkojmë që ju ta shfrytëzoni të drejtën dhe autoritetin tuaj të dhënë në Nenin 13, Pika 1 dhe 2 të Udhëzimit Administrativ me Nr. 01/2016 mbi Edukimin e Vazhdueshëm Mjekësor, në mënyrë që të tejkalohet kjo situatë brenda për brenda Ministrisë së Shëndetësisë, pa pasur nevojë të kërkohet ndihma e Institucioneve të Drejtësisë. Nëse ju nuk reagoni që keni përgjegjësi me ligj, ne jemi të detyruar të ju drejtohemi Institucioneve të Drejtësisë.
Ne kemi argumentet tona të fuqishme, të pakundërshtueshme, të shkruara dhe zyrtare, me zë dhe figurë, se ky Bord ka bërë keqëpërdorim të pozitës zyrtare me qëllim të dëmtimit të mbi 1500 kolegëve – profesionistëve shëndetësorë nga të gjitha drejtimet, të projekteve tona dhe vetë Organizatës për Arsim, Shkencë dhe Shëndetësi “KISCOMS”.
Ky proces i rilicencimit të profesionistëve shëndetësorë, i nisur në muajin korrik të vitit të kaluar (vitit 2016), për herë të parë pas luftës (vitit 1999), përveq se ka sjellur shumë stres e shumë probleme tek të gjithë ne- pa përjashtime, po shihet qartë se nga grupe- klane të caktuara të interesit brenda dhe jashtë Ministrisë së Shëndetësisë, po shfrytëzohet për favorizime të Institucioneve të ndryshme dhe duke u vënë në luftë të hapur për dëmtim dhe shkatrrim të projekteve të shoqërisë civile, në këtë rast, shembulli më i qartë është Organizata për Arsim, Shkencë dhe Shëndetësi “KISCOMS”. Kjo është e papranueshme dhe nuk do të ndalemi deri në momentin e Akreditimit të projekteve tona : Simpoziumin e parë Ndërkombëtar “Dita e Dentistëve”, Simpoziumin e parë Ndërkombëtar “Dita e Mamive”, Kongresin e VII-të Ndërkombëtar për Shkenca Mjekësore si dhe Simpoziumin e parë Ndërkombëtar “Dita e Infermierëve”.
Krejt në fund, në momentin që do të funksionalizohet Kuvendi dhe Qeveria e re e Republikës së Kosovës, pavarësisht se kush do të jetë Ministër i Shëndetësisë, ne do të procedojmë kërkesën për shkarkim të strukturës së tanishme të Bordit Qëndror të EVM-Edukimit të Vazhdueshëm Mjekësor.
Pjesëmarrësit e katër projekteve tona të cilat ende nuk i kanë marrë Çertifikatat për shkak të dëmtimeve të qëllimshme nga ana e Bordit Qëndror të EVM-Edukimit të Vazhdueshëm Mjekësor, në dy vitet në vazhdim, nuk do të bëjnë fare pagesa për pjesëmarrje në aktivitetet në fjalë, përveq taksës minimale, në rast se kërkohet nga Odat e Profesionistëve Shëndetësorë.
P.S. Kjo shkresë, kjo kërkesë, për shkak të korrektësisë në raport me kolegët tanë, profesionistët dhe studentët e shkencave mjekësore, do të publikohet edhe në ëeb-faqe dhe në grupet-rrjetet sociale të projekteve përkatëse. Po ashtu, e njëjta, përveq dërgimit në formë elektronike, do të protokollohet edhe në akrivën e Ministrisë së Shëndetësisë, sot, ditë e hënë, datë 19 Qershor 2017.
Me respekt,
Xheladin Ujkani,
Drejtor Ekzekutiv i Organizatës për Arsim, Shkencë dhe Shëndetësi “KISCOMS”