Qendra Klinike Universitare e Kosovës në bashkëpunim me ish-Trupat Mbrojtëse të Kosovës dhe Ministrinë e Shëndetësisë, kishin hartuar një plan veprimi në rast se do të ndodhnin trazira ose do të eskalonte situata më 17 shkurt 2008, ditë kjo kur u shpall Pavarësia e Kosovës.
Drejtori i Emergjencës në QKUK, Dr. Basri Lenjani, tregon se ky plan ka pas qëllim që të ndaheshin detyrat në ditën e shpalljes së pavarësisë. Në këtë dokument kishin marr pjesë ish-drejtori i QKUK-së Dr. Jusuf Ulaj, Dr. Afrim Blyta, Dr. Naim Bardiqi dhe Dr. Basri Lenjani.
“Ka pas qëllim që QKUK të jetë në nivel të detyrës duke siguruar staf shtesë të mjekëve dhe infermierëve dhe furnizim të mjaftueshëm. Poashtu kemi njoftuar edhe stafin që ishin në pushim që në rast nevojë mund të thirreshin në punë”, ka treguar Lenjani për RTV Dukagjini.
Ai thotë se ishin organizuar edhe spitalet rajonale si dhe qendrat e mjekësisë familjare për t’iu përgjigjur të gjitha nevojave të qytetarëve.
“Paradite ishte një ditë e veçantë, stafi ofronte kujdes për qytetarët, nuk kishte asnjë rast të përdorimit të armëve dhe ishte ditë festive. Brengën më të madhe e kishim se çfarë do të ndodhte pas orës 7 të mbrëmjes me përdorimin e mjeteve piroteknike. Por këto mjete ishin të kontrolluara nga shteti dhe nuk kishte të lënduar”, ka deklaruar Lenjani.
Ai ka thënë se atë ditë madje kanë pasur më pak raste sesa në ditët e rëndomta gjatë kujdestarisë.
Në gjendje gatishmërie ishin edhe kirurgët e QKUK-së. Drejtori i Kirurgjisë Abdominale Dr. Rifat Bajrami, ka treguar se ishin mobilizuar duke shkuar më herët në punë, ishin përgatitur me ekipet kujdestare, si dhe ishin në pritje për çfarëdo situate që mund të ndodhte. /Gazeta Shneta/