Gjinjtë. Gjinjtë gjatë shtatzënësisë bëhen gati për rolin e tyre më të rëndësishëm. Që nga dita e parë e fekondimit, gjinjtë nën ndikimin e hormoneve, ndryshojnë.
Në tremujorin e parë thimthat mund të shkaktojnë dhimbje me rastin e prekjeve, gjë që do të përjetohet si përvojë e pakëndshme edhe me rastin e përkëdheljeve gjatë marrëdhënieve seksuale.
Nga fundi i kësaj periudhe dhembja pushon, ndërkaq ndjeshmëria e shtuar mund të rritë kënaqësinë në seks. Posaçërisht nëse merret parasysh edhe rritja e gjinjve, pastaj plotësimi dhe forcimi i tyre.
Shumica e çifteve ndiejnë kënaqësi kur e shohin bashkëshorten me gjinj të tillë!
Mirëpo, nga fundi i shtatzënësisë fillon të tajit kolostrumi (qumështi i parë), andaj rrjedhja, edhe pse nuk shkakton dhembje, mund të jetë pengesë gjatë marrëdhënieve seksuale.
Gjithashtu, stimulimi i gjinjve ndikon në tajitje të hormonit të quajtur oksitocinë, i cili shkakton kontraksione, andaj disa çifte gjinjtë “nuk i vënë në lojë” në përfundim të shtatzënësisë.
Vagjina. Shtimi i qarkullimit të gjakut në pjesën e komblikut për shkak të ndryshimeve hormonale do të shtojë dëshirën seksuale te disa shtatzëna, gjë për meshkujt do të thotë më shumë kënaqësi.
Megjithatë, sasia e sekretit vagjinal shtohet gjatë shtatzënësisë, ndryshon dendësia e tij, por edhe aroma dhe shija. Shtimi i lagështisë aktin seksual mund ta bëjë më të këndshëm, por në qoftë se kanali vagjinal bëhet shumë i lagësht dhe i rrëshqitshëm, mund të krijojë problem te ereksioni.
Aroma mund të paraqesë problem si te mashkulli, ashtu edhe te femra. Në asnjë rast, shtatzëna nuk duhet të ndihet e turpëruar, ato janë gjëra normale gjatë shtatzënësisë.
Në qoftë se ndihet keq, duhet ta ketë të qartë se vagjina e saj shumë shpejt do t’i shërbejë vetëm një qëllimi, e ai është që të bëhet rruga e bebes për të ardhur në këtë botë.
Frika nga bebja. Problemet më të shpeshta që kanë të bëjnë me shtatzënësinë normale janë të natyrës psikike dhe të pranimit të faktit që “nëna nuk është më e vetme”.
Kështu mund të paraqitet frika që penetrimi mund të lëndojë beben apo të shkaktojë dështim spontan, gjë që nuk është e vërtet. Fetusi është në mënyrë të shkëlqyeshme i mbrojtur në qesen amnione në mitër, ndërkaq mitra është e mbyllur dhe e ndarë nga ambienti i jashtëm me sekrecion të mukozës dhe është e mbyllur.
E dyta, te disa çifte paraqitet frika që bebja është e vetëdijshme për atë që po bëjnë nëna dhe babai, posaçërisht në javët e fundit të shtatzënësisë, duke e argumentuar këtë me faktin se bebja kërcen dhe lëviz çdoherë pas aktit seksual.
Fetusi nuk mund të jetë i vetëdijshëm për këtë gjë, nuk mund të dijë se ç’po ndodh, as që seksi do t’i shkaktojë pasoja psikike të mëvonshme, ndërkaq reaksioni i bebes paraqet përgjigje ndaj aktivitetit të hormoneve dhe mitrës pas marrëdhënies.
Frika nga infeksionet. Po qe se bashkëshorti nuk ka sëmundje ngjitëse, nuk ka rrezik nga infeksionet.
Pra, fetusi është plotësisht i mbrojtur nga të gjithë mikroorganizmat, gjithnjë deri sa të pëlcasë placenta. Meqenëse pëlcitja e placentës mund të ndodhë në çdo çast në muajin e fundit të shtatzënësisë, është i domosdoshëm të përdoret prezervativi si mjet plotësues “sigurimi” nga infeksionet.