Menaxhmenti i SHSKUK-së dhe drejtorët e klinikave gjatë ditës së sotme janë takuar me kryeministrin Ramush Haradinaj në zyrën e këtij të fundit.
Gjatë mbledhjes është diskutuar për të arriturat dhe sfidat me të cilat përballet sistemi i shëndetësisë, shkruan Gazeta Shneta.
Haradinaj dhe mjekët janë dakorduar që të takohen një herë në muaj në këtë nivel për të biseduar rreth problemeve.
Kryeministri është zotuar se pagat e mjekëve do të rriten nga muaji qershor, ndërsa grevat që po mbahen nga kirurgët në QKUK dhe Spitalin e Mitrovicës i ka quajtur të paarsyeshme.
Edhe në një postim në Facebook, Haradinaj është zotuar se pagat e mjekëve do të jenë dinjitoze.
Menaxhmenti i SHSKUK-së i janë zotuar kryeministrit se do të kërkojnë më shumë përgjegjësi nga personeli mjekësor.
Kjo do të bëhet nëpërmjet inspektimeve gjatë orarit të punës dhe kujdestarive të mjekëve.
Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka thënë se shëndetësia ka nevojë për mobilizimin e të gjithë akterëve përgjegjës. Ai sërish ka deklaruar se viti 2018 do të jetë vit i ndryshimeve në këtë sektor.
Në mbledhjen e radhës palët do të diskutojnë për legjislacionin dhe ndryshimet e nevojshme. /Gazeta Shneta/