Çka e shkaktoi vdekjen e pacientëve në QKUK, flet kryeanesteziologu Nehat Baftiu

2017-10-31 në ora 12:03

Vdekja e dyshimtë e tre pacientëve në QKUK më 7 shtator, ka tronditur sistemin publik të shëndetësisë i cili edhe ashtu përballet me shumë vështirësi e skandale të tjera.

Zvarritja e analizave të gazit oksidul i cili dyshohet të jetë shkaku i vdekjeve, dhe analizat e obduksionit të trupave të pacientëve, ka lënë hapësirë për diskutime dhe ngritje të ndryshme të dyshimeve tjera, shkruan Gazeta Shneta.

Zyrtarë të ndryshëm të QKUK-së duke mos pranuar të flasin publikisht, thonë se faji mund të jetë i anesteziologëve të cilët mund të kenë gabuar në trajtimin e pacientëve me gaz oksidul në sallat e operacionit.

Për këto dyshime ka folur drejtori i Klinikës së Anestezionit, Nehat Baftiu. Për Gazeta Shneta, ai thotë se komplikimet që kanë çuar në vdekjen e tre pacientëve, nuk ka ndodhur kurrë në QKUK. Ai nuk konstaton shkakun e vdekjes dhe pohon se shkaku mund të jetë te oksiduli, por edhe në trajtimin e pacientëve në salla.

Baftiu tregon se pas marrjes së lajmit, menaxhmenti i SHSKUK-së kishte kërkuar nga ai që të formonte një komision të cilin e kishte themeluar në përbërje të Hysen Hysenit, Gazmend Spahiut dhe Faton Sada.

“Konstatimi i tyre ka qenë që të gjithë pacientët në 6 salla janë trajtuar me oksidul te të cilët kanë ndodhur komplikimet e njëjta”, deklaron Baftiu.

Anesteziologu tregon se janë intervistuar nga Policia e Kosovës së bashku me teknikët dhe mjekët tjerë.

Ai hedh edhe dyshime të tjerë për krim të organizuar për ta dëmtuar QKUK-në.

“Që katër vjet furnizohemi nga një burim i gazit dhe problemi është se në atë dhomë duhet me pas kamera. Sikur të kishte kamera do të mund ta shihnim nëse dikush ka mundur të bëjë ndonjë krim”, shprehet Baftiu.

Ai thotë se nuk ka përdorur më gaz oksidul që nga vdekja e pacientëve dhe tani punon me barna me dozë të shtuar të cilat kryejnë funksionin e njëjtë.

“Ka mundur të ndodhë gjithçka, por nuk besoj që ka mundur të ketë komplikime të njëjta prej 6 anesteziologëve më të mirë që kanë qenë atë ditë”.

“Ka mundësi që anesteziologut me iu kompliku rasti, por për neve është me rëndësi që me qenë brenda dhe me u ballafaqu. Njerëzit mundem me fol sepse nuk i dijnë rastet dhe ndoshta ka mundësi me ndodhë edhe ajo”.

Baftiu shton se nëse një anesteziologu i vdes pacienti si shkak i komplikimeve, atëherë është përgjegjësia e tij, por kur komplikimi i njëjtë ndodhë në 6 salla, atëherë thotë se problemi është dikund tjetër.

Drejtori i Anestezionit thotë se janë në pritje të analizave dhe hetimeve të Prokurorisë. /Gazeta Shneta/