Një 24-vjeçare ka ndërruar jetë nga koronavirusi, disa ditë pasi ka lindur foshnjën në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Gruaja 24-vjeçare e infektuar me Covid-19 kishte sjellë në jetë fëmijën e saj para disa ditësh në Klinikën e Gjinekologjisë në javën e 34-të, shkruan Gazeta Shneta.
Por për shkak të komplikimeve nga koronavirusi, ishte transferuar për kujdes intensiv në Klinikën e Mjekësisë Sportive ku trajtohen pacientët në gjendje të rëndë nga covidi.
Drejtori i Gjinekologjisë Jakup Ismajli ka thënë se pacientja kishte probleme me frymëmarrjen.
“Pacientja me Covid është sjellë në javën e 34-të dhe është dashur të kryhet lindje me operacion sepse kishte probleme me frymëmarrjen”, ka thënë Ismajli.
Ndërkaq drejtori i Klinikës së Neonatologjisë Dr. Xhevdet Gojnovci ku po trajtohet foshnja, ka thënë se është në gjendje stabile.
“Lindja është kryer më 28 mars dhe foshnja ka ardhë në jetë me peshë 2.3 kg. Menjëherë është transferuar në hapësirën e dedikuar për Covid në Neonatologji dhe është trajtuar me CPAP për shkak të problemeve me frymëmarrje. Është trajtuar me terapi dhe aktualisht është në gjendje stabile”, ka deklaruar Gojnovci. /Gazeta Shneta/