Një përmbledhje e hulumtimit sugjeron që anomalitë në pjesën e përparme të trurit të identifikuara nga testet e elektroencefalografisë (EEG) janë të zakonshme në mesin e pacientëve që kanë simptoma neurologjike me Covid-19.
Vlerësimet ndryshojnë, por afërsisht 15-25% e pacientëve me Covid-19 të rëndë mund të përjetojnë simptoma neurologjike, të tilla si dhimbje koke, konfuzion, vetëdije e dëmtuar, kriza dhe goditje në tru shkruan MedicalNewsToday, përcjell Gazeta Shneta.
Mjekët mund të referojnë pacientët që janë duke përjetuar simptoma neurologjike për një test EEG. Testi përfshin vendosjen e elektrodave në lëkurën e kokës për të monitoruar aktivitetin elektrik të trurit.
Për të hetuar sesi Covidi ndikon në tru, studiuesit nga ‘Baylor College of Medicine’ në Hjuston, dhe Universiteti i Pittsburgh, analizuan rezultatet e EEG nga 617 pacientë, të raportuar në 84 studime të ndryshme.
Mosha mesatare e pacientëve që iu nënshtruan një EEG ishte 61.3 vjeç, dhe dy të tretat ishin meshkuj.
Gjetjet më të zakonshme që studiuesit identifikuan ishin ngadalësimi i valëve të trurit dhe shkarkimet jonormale elektrike.
Shkalla e anomalive të EEG lidhej pozitivisht me ashpërsinë e sëmundjes dhe nëse pacientët kishin kushte neurologjike para-ekzistuese, të tilla si epilepsia. /Gazeta Shneta/