Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), publikuan dy raporte të reja të premten duke theksuar rreziqet e Covid-19 për gratë shtatzëna dhe foshnjat e tyre, veçanërisht që nga muaji korrik, kur varianti Delta tejet ngjitës u përhap në SHBA.
Një raport shqyrton vdekjet e lidhura me Covid gjatë shtatzënisë në Misisipi midis fillimit të marsit 2020 dhe fillimit të tetorit 2021. Gjatë asaj periudhe 19-mujore, u raportuan 1637 infeksione SARS-CoV-2 gjatë shtatzënisë, me 15 vdekje të lidhura me Covid-19, raporton The Washington Post përcjell Gazeta Shneta.
Ndër të tjera, prej tyre – gjashtë vdekje ndodhën përpara se Delta të merrte hovin në vendet amerikane, duke llogaritur pesë vdekje për 1000 infeksione.
Sapo varianti Delta u bë mbizotërues, numrat u rritën, duke rezultuar në nëntë vdekje gjithsej, ose 25 vdekje për 1000 infeksione.
Sipas raportit, 14 nga gratë kishin sëmundje themelore, dhe asnjëra nuk ishte vaksinuar plotësisht.
“Kjo nxjerr në pah rëndësinë e vaksinimit,” tha Denise Jamieson, kryetare e gjinekologjisë dhe obstetrikës në shkollën e mjekësisë të Universitetit Emory.
Gratë e zeza dhe hispanike u prekën në mënyrë disproporcionale. Në përgjithësi, rreth 50 për qind e lindjeve në Misisipi ishin nga gra zezake dhe hispanike, por ato përbënin 12 nga 15 vdekjet e lidhura me Covid.
“Është zemërthyese,” tha Ruth Faden, një profesioniste e etikës mjekësore në Johns Hopkins dhe një drejtuese e projektit ‘PREVENT’, i cili mbron përfshirjen e interesave të grave shtatzëna në zbulimin e vaksinave kundër patogjenëve në zhvillim. “Edhe një herë, ka një barrë joproporcionale për njerëzit me ngjyrë.”
Autorët e raporteve theksojnë rëndësinë e masave parandaluese duke përfshirë vaksinimin, të cilin CDC rekomandon për gratë shtatzëna. Vetëm rreth 30 për qind e grave shtatzëna në SHBA janë të vaksinuar, një normë shumë më e ulët se popullsia në tërësi.
Hezitimi i tyre duket se rezulton të paktën pjesërisht nga mungesa e udhëzimeve të qarta, veçanërisht në fillim të pandemisë kur kishte pak të dhëna për shtatzëninë dhe vaksinat. /Gazeta Shneta/