Çrregullimet e personalitetit – shkaku i dhunës në familje, thotë mjekja e QKUK-së

2018-08-20 në ora 08:39

Dhuna në familjet kosovare ndodh më së shumti kur individët kanë çrregullime të personalitetit. Shumë prej tyre kalojnë jetën pa kërkuar ndihmë nga institucionet shëndetësore dhe pa u diagnostikuar, ka thënë specialistja e psikiatrisë Dr. Nazmie Musliu Ibishi në QKUK

Ariana Ismaili

Dhuna në familje pothuajse është bërë përditshmëri në Kosovë. Nuk kalon ditë që nuk raportohen dhjetëra raste në Policinë e Kosovës. Së fundmi shoqëria kosovare u trondit nga vrasja e nënës dhe vajzës nga burri, përkatësisht babai në Gjakovë.

Veprimet që përbëjnë krime si dhuna dhe vrasja brenda familjës, zakonisht ndodhin nga persona me çrregullime të personalitetit. Këtë e ka deklaruar Dr. Nazmie Ibishi Musliu, specialiste e psikiatrisë në Klinikën e Psikiatrisë në QKUK.

Gjykata rekomandon trajtim të detyrueshëm për rastet që kanë kryer krime. Diagnostikimi dhe trajtimi i tyre bëhet duke i hospitalizuar, ose në klinikën e Psikiatrisë, ose në Institutin e Forenzikës, kur rastet vazhdojnë të jenë në proces gjyqësor. Musliu-Ibishi thotë se përballen shpesh me raste të tilla që kanë kryer vepra si dhunë apo vrasje brenda familjes.

“Agresiviteti personal bënë që personat ta kenë të nevojshme ta zbrazin atë në forma të dhunshme dhe jo normale, aty ku kanë më shumë mundësi, pra tek familja dhe rrethi i ngushtë”, ka deklaruar mjekja. Ajo shton se në devijimin e personalitetit ndikojnë disa faktorë, dhe kur personaliteti është i formuar në atë mënyrë, është shumë e vështirë t’i ndryshohen tiparet, shkruan Gazeta Shneta.

“Individët me ato tipare të personalitetit nuk mendojnë por vetëm veprojnë, sepse personaliteti i tyre është formuar në atë mënyrë dhe vështirë ndryshohet, e aty ndikojnë disa faktorë si gjenetika, modeli i sjelljes nga dikush tjetër, apo edhe problemet e përditshme dhe rrethi”, ka thënë ajo. Këta persona ose hospitalizohen ose trajtohen me barna, por në shumicën e rasteve ata kalojnë gjithë jetën pa u diagnostikuar fare.

“Në kuadër të Komisionit për kompensim të viktimave, që kanë përjetuar dhunë brenda familjes, punojnë psikiatër dhe ortopedë, prokurorë, dhe anëtarë të OJQ-ve, për të ofruar shërbime trajtuese për viktimat e krimit në familje”, ka deklaruar Musliu-Ibishi.

Mjekja ka deklaruar se shoqëria nuk duhet të alarmohet vetëm kur ka raste të krimeve të rënda, megjithëse shprehet se kohët e fundit janë vërejtur përpjekje për vetëdijesim kundër dhunës në familje. /Gazeta Shneta/