Kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje e cila i fitoi zgjedhjet e 6 tetorit, Albin Kurti, gjatë ditës së djeshme ka tronditur komunitetin e mjekëve me një deklaratë se do t’ua kushtëzojë punën ose në spitale publike ose në private.
Por një nen i Ligjit për Shëndetësi të miratuar në vitin 2012, i cili detyronte mjekët që të zgjedhin të punojnë në spitale publike ose private, ishte vlerësuar si i jashtëligjshëm nga Gjykata Kushtetuese, shkruan Gazeta Shneta.
Rasti në Gjykatë u dërgua nga një grup deputetësh përfaqësuar nga Shaip Muja.
Gjykata Kushtetuese miratoi pretendimet se tri pika të nenit 41 të Ligjit për shëndetësi, që u kërkonin mjekëve të përcaktohen nëse duan të punojnë në sistemin privat ose publik shëndetësor, janë në mospërputhje me nenin 49 [E Drejta e Punës dhe Ushtrimit të Profesionit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Neni 41 ka të bëjë me “Parandalimin e konfliktit të Interesit”, e pikat e hedhura poshtë nga Gjykata janë 1, 5 dhe 6.
Ky nen ishte më i debatueshmi dhe kundërshtohej kryesisht nga mjekët, sindikata e tyre dhe një grup deputetësh, prej nga u iniciua edhe procedura për interpretim në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës. /Gazeta Shneta/