Dënohet me një vit burg në rigjykim stomatologu nga Prishtina që ngacmoi seksualisht të miturën

2021-10-19 në ora 16:48

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka shpallur sërish fajtor stomatologun nga Prishtina, Xhavit Muqiqin, duke e dënuar me një vit burgim për veprën penale “Keqpërdorim seksual i personave nën moshën gjashtëmbëdhjetë vjet”, raporton Gazeta Sinjali.

Muqiqi ishte dënuar me një vit burgim edhe në vitin 2018, por Apeli e kishte kthyer rastin e tij në rigjykim.

Në rigjykim Muqiqit i është përsëritur dënimi i njëjtë, pasi që Prokuroria nuk ka parashtruar ankesë dhe nuk ka kërkuar dënim tjetër.

Mediat në vitin 2018 kishin publikuar detaje nga aktakuza, në të cilën thuhet se Muqiqi ka ngacmuar seksualisht një të mitur, e cila kishte shkuar si paciente për t’i vendosur protezat në ordinancën e tij, në Prishtinë.

Si u takua Muqiqi me të miturën dhe çfarë i bëri asaj pasi ia dha anestezionin?

Sipas aktakuzës të publikuar në media në vitin 2018, në mesditën e 21 janarit të vitit 2012, në ordinancën e Xhavit Muqiqit kishte shkuar viktima A.B. 16-vjeçare, për të marrë tretman mjekësor pasi që kishte pasur dhimbje të dhëmbit, me ç’rast i akuzuari kishte ngacmuar seksualisht pacienten e tij.

Në aktakuzën thuhet se Xhavit Muqiqi pasi ia dhënë anestezionin të miturës, kishte filluar ta përkëdhelë, ta puthte dhe e kishte urdhëruar të ulej në prehrin e tij.

“Xhavit Muqiqi në cilësinë e mjekut – stomatolog ia kishte dhënë anestezionin, i njëjti kishte filluar me pyetje jo të zakonshme si janë: ‘Çka, është më e rëndësishme për jetën e saj dhe çka do të thotë fjala intuitë dhe njëkohësisht kishte filluar ta ledhatonte në pjesën e qafës, e kishte puthur të njëjtën në gojë, ku e dëmtuara ka filluar të largohet nga i pandehuri, por i njëjti i kishte thënë ‘se është i besueshëm dhe për çdo problem do t’i ndihmojë edhe për anën financiare’, pastaj i njëjti është ngritur në këmbë duke e ulur të dëmtuarën dy herë në prehrin e tij”, thuhet në aktakuzë.

E mitura kishte tentuar që të largohej nga ai, mirëpo doktori, pa dëshirën e saj, kishte filluar ta përqafonte dhe ta shtrëngonte.

…pas përpjekjeve, largohet nga i pandehurit dhe nga i njëjti ka kërkuar ta dijë se a ka përfunduar intervenimin e dhëmbit ku në dalje nga ordinanca përsëri i njëjti pa pëlqimin e saj ka filluar ta përqafonte duke e shtrënguar për kraharori me ç’rast tek e dëmtuara e mitur ka shkaktuar shqetësim”, thuhet ndër të tjera në aktakuzë.

Çka deklaruan stomatologu dhe e mitura në Prokurori?

Muqiqi në deklaratën e tij të dhënë në prokurori, i kishte kundërshtuar të gjitha ato që thuheshin në aktakuzë. Ai e kishte mohuar se e ka puthur, ledhatuar ose ta ketë urdhëruar të ulej në prehrin e tij.

Të gjitha këto, stomatologu, Xhavit Muqiqi në deklaratën të cilin e ka dhënë në prokurori i kishte kundërshtuar. Ai kishte thënë se nuk e ka puthur, nuk e ka ledhatuar dhe nuk e kishte urdhëruar që të ulet në prehrin e tij.

“I pandehuri Xhavit Muqiqi në deklaratën e tij ka pranuar se me dt. 21.02.2012 A.B ka qenë në ordinancën e tij ka punuar si stomatolog ku ka kërkuar t’ia rregulloi dhëmbin, po ashtu ka pranuar se ia ka rregulluar dhëmbin por i njëjti në deklaratën e tij ka mohuar kryerjen e veprën penale, duke theksuar se nuk e ka puthu dhe nuk e ka ledhatuar të dëmtuarën dhe po ashtu ka theksuar se nuk e ka urdhëruar që të ulet në prehrin e tij”, thuhet në aktakuzë.

Ai kishte thënë se në ordinancën e tij e mitura kishte ardhur me babain e saj, katër muaj para se të ndodhte rasti, për vënien e protezave rreth rregullimit të dhëmbëve dhe se kishte arritur marrëveshje me babain e saj që t’ia rregullojë dhëmbët.

Ndërsa e mitura në atë kohë kishte deklaruar se doktori i kishte thënë “se prej momentit që të kam parë e kam ditë se ke nevojë për një person që të përkrah dhe sa herë që ki nevojë për rregullimin e dhëmbëve s’ke nevojë të ngushtojshë familjen tënde, se nga unë ki një bonus, jo vetëm për proteza, por për çdo mbështetje financiare“.

Shënim: Person i apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata./GazetaSinjali/