Dentisti kosovar që u arrestua në Serbi akuzohet se ka vrarë dy serbë në Kosovë

2018-08-17 në ora 08:33

Dentisti kosovar me shtetësi gjermane, Ibrahim Matoshi, është arrestuar në Serbi para tre ditësh nën akuzat për terrorizëm. Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ka deklaruar se nuk mund të bëjnë asgjë lidhur me rastin e tij, pasi Matoshi ka hequr dorë nga shtetësia e Kosovës në vitin 2015. Matoshi po akuzohet se ka vrarë dy serbë gjatë vitit 1999 në Kosovë.

“Fillimisht, duhet të ritheksojmë se publiku i gjerë në Kosovë është i informuar që dentisti Ibrahim Matoshi, me punë në Gjermani, është shtetas i çmuar i Republikës Federale të Gjermanisë. Ky fakt, nga këndvështrimi i pastër institucional, e bënë të papërshtatshëm mbulimin juridik të rastit, nga ana e shërbimit diplomatik të Republikës së Kosovës, pavarësisht se ne kemi prezencë aktive diplomatike në Serbi, përmes Zyrës Ndërlidhëse të Republikës së Kosovës në Beograd”, ka deklaruar Fatmir Haxholli nga MPJ.

“Sidoqoftë, nisur nga fakti që Ministria e Punëve të Jashtme dhe institucionet tjera relevante, ishin dhe mbesin pikat të rëndësishme të kontaktit dhe komunikimit për familjarët e shqetësuar të Ibrahim Matoshit, që jetojnë në Kosovë, ku ai ishte nisur për vizitë, rrethanat ku deri me 2015 Matoshi ishte shtetas i Republikës së Kosovës, kur edhe hoqi dorë nga shtetësia, si dhe lidhjet e tij të forta me vendlindje, e bënë të domosdoshëm angazhimin tonë institucional, si dhe legjitimon shqetësimin e gjithëmbarshëm të secilit prej nesh”, ka thënë Haxholli për KosovaPress.

Ai po ashtu tha se praktikat ndërkombëtare e detyrojnë Serbinë që të informojë shtetin përkatës të personit që ka ndaluar, për ndalimin e tij.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Beograd, kanë përcjellë me shqetësim rrjedhën e ndalimit të Ibrahim Matoshit, por gjithmonë duke ditur dhe duke respektuar faktin që praktikat ndërkombëtare i detyrojnë autoritetet në Serbi, që të informojnë institucionet e Republikës Federale të Gjermanisë, për ndalimin dhe për mënyrën e trajtimit të një shtetasi të tyre në Serbi. Shpresojmë që institucionet e Serbisë, të mos jenë aq skandaloze, sa të injorojnë faktin e informimit të autoriteteve gjermane, dhe besojmë që avokati i angazhuar i dentistit Ibrahim Matoshi, mund ta dijë se a janë shkelur praktikat ndërkombëtare, me rastin e ndalimit, arrestimit dhe mbajtjes së Matoshit, nga ana e autoriteteve serbe”, ka thënë ai.

Haxholli po ashtu tha se MPJ refuzon kategorikisht ta marrë si të mirëqene, ta trajtojë, konfirmojë, apo riciklojë, cilindo pretendim, për cilindo rast, për cilëndo periudhe, të qytetarëve të Kosovës, qofshin shtetas të Republikës së Kosovës, qofshin diasporë të pajisur me nënshtetësi të vendeve tjera.

Sipas tij ky është një qëndrim i ditur ligjor e institucional, sepse juridiksioni i Serbisë mbi Republikën e Kosovës, ka qenë i ndërtuar mbi okupimin klasik të Kosovës nga ana e Serbisë, dhe gjithmonë trajtohet si i tillë edhe për vitet e 90-ta.