Agjencia e Veterinës dhe Ushqimit ka konfirmuar se në vitin 2016 në Kosovë janë asgjësuar 20 mijë kilogramë mish të prishur, të importuar nga kompania e mishit prej Belgjikës “Veviba”. Zëdhënës i kësaj agjencia, Lamir Thaqi, tha për Express se kjo firmë nuk importon më mish në vendin tonë.
“Nuk janë të vërteta disa të dhëna, rasti ka ndodhur në 2016, nuk ka hyrë më mishi i kësaj firme në Kosovë. Sipas verifikimit të vitit 2016, në Kosovë është asgjësuar ngarkesa prej 20 mijë kilogramëve mish”, theksoi Thaqi.
Informatat për të cilat ka folur zëdhënësi i Agjencisë së Veterinës dhe Ushqimit janë publikuar në medie ditën e shtunë. Sipas tyre, në Belgjikë ka shpërthyer një skandal në lidhje me cilësinë e mishit që e konsumojnë qytetarët, pas zbulimit se firma “VEVIBA”, një nga furnizuesit më të rëndësishëm, ka funksionuar në kushte të papranueshme sanitare, dhe ka manipuluar me përmbajtjen e mishit sikurse edhe me etiketat për afatin e përdorimit.
Për herë të parë për mishin e dyshimtë u dëgjua në Kosovë më 2016, kur një sipërmarrës kosovar i paralajmëroi autoritetet belge se nga kompania VEVIBA kishte marrë një dërgesë me mish të prishur. Për pothuajse dy vjet, kompania ka funksionuar e papenguar deri para pak ditësh kur skandali nisi të trajtohej seriozisht, raporton Radio Evropa e Lirë në gjuhën serbokroate.