Dështimi i përsëritur i shtatzënisë përkufizohet nga dy ose më shumë shtatzëni të dështuara. Varësisht se sa ka qenë e përparuar shtatzënia në kohën e humbjes, si ka qenë gjendja mjekësore e mashkullit dhe femrës, si dhe faktorët tjerë, ndërmerret një vlerësim.
Ky vlerësim përpiqet të përcaktojë shkakun e dështimeve dhe përdoret për të zhvilluar një plan trajtimi për të parandaluar dështimet e ardhshme. Pothuajse te gjysma çifteve, pavarësisht nga vlerësimi i plotë, nuk gjendet asnjë shkak.
Ndër shkaqet e ndryshme të dështimit të shtatzënisë janë:
Shkaqet gjenetike / kromozomale
Translokimi (kur një pjesë e një kromozomi është e bashkuar me një kromozom tjetër) është anomalia më e zakonshme e trashëguar kromozomale. Megjithëse një prind që mbart një translokacion është shpesh normal, embrioni i tyre mund të marrë shumë pak ose tepër shumë materiale gjenetike. Kur kjo ndodh, zakonisht ndodh aborti. Çiftet me translokacion ose defekte tjera të veçanta kromozomale mund të përfitojnë nga diagnoza gjenetike para-implantimit (PGD) së bashku me IVF.
Mosha
Mundësia e abortit rritet me plakjen e gruas. Pas moshës 40 vjeçare, më shumë se një e treta e të gjitha shtatzënive përfundojnë me abort. Shumica e këtyre embrioneve kanë një numër anormal të kromozomeve.
Anomalitë hormonale – Progesteroni, një hormon i prodhuar nga vezoret pas ovulacionit, është i nevojshëm për një shtatzëni të shëndetshme. Nivelet e ulëta të progesteronit, shpesh të quajtura mangësi të fazës luteale, mund të shkaktojnë abortime të përsëritura. Trajtimet mund të përfshijnë induksionin e ovulacionit, plotësimin e progesteronit ose injektimin e gonadotropinës njerëzore (hCG).
Anomalitë metabolike
Gratë me diabet përmirësojnë rezultatet e shtatzënisë nëse para ngjizjes arrijnë ta vendosin nivelin e sheqerit në gjak nën kontroll. Gratë që kanë rezistencë ndaj insulinës, sikurse gratë obeze dhe shumë të tjera që kanë sindromën e vezoreve policistike, gjithashtu kanë shkallë më të lartë të abortit.
Anomalitë e mitrës
Shtrembërim i zgavrës së mitrës mund të gjendet në rreth 10% deri në 15% të grave me dështime të përsëritura të shtatzënisë. Testet diagnostike të kontrollit përfshijnë histerosalpingogramin, ultratingullin, ose histeroskopinë. Anomalitë kongjenitale të mitrës përfshijnë një mitër të dyfishtë, mur ndarës të mitrës dhe një mitër në të cilën është formuar vetëm njëra anë. Sindromi i Ashermanit (mbresa në zgavrën e mitrës), fibroide të mitrës dhe ndoshta polipe të mitrës janë abnormalitete të fituara që gjithashtu mund të shkaktojnë abortime të përsëritura. Disa nga këto gjendje mund të korrigjohen kirurgjikale.
Sindromi antifosfolipid
Testet e gjakut për antitrupat antikardiolipin dhe antikoagulantët e lupusit mund të identifikojnë gratë me sindromin antifosfolipid, që shkakton deri në 15% të abortimeve të përsëritura. Në gratë që kanë nivele të larta të antitrupave antifosfolipide, rezultatet e shtatzënisë përmirësohen duke përdorur aspirinë dhe heparin (hollues gjaku). /Gazeta Shneta/