Ambasadorja e Bashkimit Evropian në Kosovë Natalia Apostolova, e shoqëruar nga ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj, ka dorëzuar sot donacionin e radhës prej 800 mijë eurove në Institutin Kombëtar dhe QKUK.
Në këtë donacion janë 5 defribilator, 350 oximeter, 400 shtretër, 127 200 maska mbrojtëse dhe 6 mijë teste, shkruan Gazeta Shneta.
Apostolova ka thënë se ky donacion është mjaft i rëndësishëm në luftën kundër Covidit, por ka deklaruar se nëse qytetarët nuk i respektojnë rekomandimet dhe masat, atëherë donacioni nuk do të ketë vlerë.
“Respektoni masat e IKShP-së sepse shumë qytetarë nuk po janë të vetëdijshëm për këtë sëmundje. Na ndihmoni ju medie që ky mesazh të shkojë direkt te qytetarët dhe e dimë se sistemi shëndetësorë nuk është në nivel të duhur”, tha ajo teksa kërkoi ndihmë nga qytetarët për luftimin e pandemisë.
Ajo ka deklaruar se në ditët në vijim do të dhurojnë edhe 30 respiratorë për QKUK-në.
Edhe Zemaj kërkoi nga qytetarët që të respektojnë masat dhe të mos dëgjojnë thirrjet për mosrespektim të vendimeve nga Qeveria.
“Mos lejoni që të kemi donacione të tilla në pafundësi, na ndihmoni ta përfundojmë pandeminë, respektoni masat, zbatoni masat e MSH-së dhe IKSHPK-së, mos dëgjoni ata që thërrasin për padëgjueshmëri për vendimet e qeverisë, ruani shëndetin tuaj dhe të familjes, më e rëndësishme është shëndeti sesa politika apo dallimet politike që paraqiten në kohë pandemie”, tha Zemaj. /Gazeta Shneta/