Diabeti dhe mbipesha, arsyet kryesore përse pacientët frekuentojnë dializën

2018-08-07 në ora 14:49

Diabeti dhe mbipesha janë shkaktarët kryesor që pacientët dërgohën në dializë. Këtë e ka bërë të ditur drejtoresha e klinikës së Nefrologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Dr. Venera Hasangjekaj. Ajo ka thënë se kohët e fundit janë shtuar raste të moshave të reja në gjendje dialize, e në këtë po ndikon mënyra e jetesës dhe të ushqyerit.

Ariana Ismaili

Klinika e Nefrologjisë në kuadër të QKUK-së ka mbi 200 pacientë që marrin rregullisht terapi dialize. Sipas drejtoreshës të kësaj klinike, dr. Venera Hasangjekaj, në këtë repart ka mungesë të stafit të infermierëve, por, përkundër kësaj, shërbimet kryhen në nivel.

“Kemi mungesë të infermierëve, por, prapë ne ofrojmë rregullisht shërbime, me aparatura të sofistikuara”, ka thënë Hasangjekaj. Ajo poashtu ka pohuar se gjatë sezonës së verës, rastet shtohën, shkruan Gazeta Shneta.

“Numri i rasteve rritet gjatë sezonës verore, pasi që mërgimtarët që vijnë, kërkojnë shërbime këtu”, ka deklaruar drejtoresha e Nefrologjisë, duke bërë të ditur se shkaku kryesor që po dërgon pacientët në dializë është, diabeti dhe mbipesha.

“Individët duhet kujdesur më shumë për shëndetin e tyre, mënyrën e jetesës, dhe ushqimin që e konsumojnë, pasi që diabeti dhe mbipesha paraqet rrezikun edhe për dializë”, ka thënë ajo. Poashtu, mjekja shton se kohët e fundit, janë regjistruar edhe mosha të reja në dializë, e për këtë të rinjët duhet vetëdijësuar që t’i largohen veseve të dëmshme për shëndetin e tyre.

“Është shqetësuese kur ka raste të moshave të reja,së fundmi, do këshilloja që të lënë duhanin e të merren me aktivitete fizike, dhe të konsumojnë ushqime me vitamina, larg sheqerit”, ka përfunduar Hasangjekaj./Gazeta Shneta/