Diana Reka: Janë gjobitur barnatoret që nuk respektuan orarin e kujdestarisë

2018-11-16 në ora 14:14

Drejtoresha e Drejtorisë së Shëndetësisë në Komunën e Kaçanikut, Diana Reka, ka reguar ndaj diskutimeve në lidhje me mbajtjen e orarit të kujdestarive nëpër barnatore.

Reka ka deklaruar se drejtoria që udheheq harton për çdo muaj orarin e kujdestarisë për të gjitha barnatoret. “Drejtoria e Shëndetësisë poashtu përmes inspektorit të tregut, ka inspektuar barnatoret gjatë ndërrimit të natës dhe njëkohësisht u janë shqiptuar gjoba të gjitha barnatoreve që nuk kanë përfillur këtë orar”, ka deklaruar ajo, shkruan Gazeta Shneta.

Lexoni reagimin e plotë:

Reagim ndaj diskutimeve dhe shpifjeve lidhur me orarin e barnatoreve në Komunën e Kaçanikut

Drejtoresha e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale Diana Reka, reagon ndaj diskutimeve dhe shpifjeve që po bëhen kohëve të fundit lidhur me mbajtjen e orarit të kujdestarisë së barnatoreve gjatë natës.

Drejtoria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale (DShMS-) edhe njëherë bënë të ditur se kjo drejtori për çdo muaj harton orarin kujdestarisë për të gjitha barnatoret, duke kryer kështu obligimin parësor që ka në këtë drejtim. Drejtoria e Shëndetësisë poashtu përmes inspektorit të tregut, ka inspektuar barnatoret gjatë ndërrimit të natës dhe njëkohësisht u janë shqiptuar gjoba të gjitha barnatoreve që nuk kanë përfillur këtë orar.

Drejtoria kërkon nga opinioni që të mos merren me shpifje të natyrave të ndryshme, që nuk i përkasin aspak reputacionit dhe punëve të kësaj drejtorie, e cila me përkushtimin më të madh është duke vazhduar angazhimin e saj karshi rregullimit të mirëqenies shëndetësore. Poashtu kjo drejtori kërkon nga vetë barnatoret që të respektojnë orarin e kujdestarisë në mënyrë që qytetarët të kenë ku të orientohen edhe gjatë orëve të natës. Për hir të opinionit, DSHMS-ja poashtu bënë të ditur se është në dorën e barnatoreve mbajtja e kujdestarisë, ndërsa komuna është duke kryer obligimet e saja, ku shpesh herë janë gjobitur barnatoret pikërisht për mos respektim të këtij orari. Komuna e Kaçanikut do të jetë në vazhdimësi transparente, duke publikuar orarin e kujdestarisë së barnatoreve, ndërsa lusim qytetarët të cilët do hasin në barnatore kujdestare të mbyllura të njoftojnë edhe policinë. Drejtoria poashtu njoftoi se barnat esenciale sigurohen nga Ministria e Shëndetësisë, ndërsa drejtoria nga buxheti i saj shpesh herë ka siguruar barna nga lista esenciale në mungesë të tyre, kurse brenda objektit të QKMF-së nuk lejohet funksionimi i veprimtarisë së barnatoreve private.

Në fund të reagimit, DSHMS-ja bënë me dije se punët dhe angazhimet e kësaj drejtorie nuk do të ndalen nga shpifjet e natyrave të ndryshme, por se do të vazhdohet me punë dhe angazhimet e planifikuara që kanë për qëllim rregullimin e mirëqenies qytetare në nivelin shëndetësor dhe social.