Mjekët në Shqipëri po protestojnë në ditën e dytë për të kërkuar drejtësi për viktimat e dhunës nga pacientët dhe familjarët e tyre. Rasti i fundit ishte në Lezhë ku një dermatolog u rrah rëndë nga një pacient i dehur.
Dr. Tritan Kalo ka kërkuar nga qytetarët që ta kenë të qartë se mjekët nuk i kanë krijuar problemet e tyre, por politika. Ai ka thënë se 30 vjet do të ishin pak për dhunuesit e tyre, shkruan Pro Pacienti, transmeton Gazeta Shneta.
“Vaksinë për problemin tonë nuk ka, por vaksina gjendet. Populli ta ketë të qartë që mjekët nuk ua krijojnë problemet, janë politikat ato që duhet të ndryshojnë. Mos harroni që në 1997 kur tërë shteti u shkërmoq ishin mjekët ata që qëndruan gati për të ofruar ndihmë. Nuk i keni nga mjekët problemet, nuk jeni të varfër nga mjekët, e nëse flitet që për ata që shkelin barin në fushën e futbollit të dënohen 3 vjet, ata që dhunojnë mjekët e kanë pak edhe 30 vjet”, ka thënë Dr. Tritan Kalo.
“Të gjithë jemi të ndërgjegjshëm për rastet e dhunës në ditët e fundit. Ne po kërkojmë ndryshime në Kodin Penal që të shtrëngohen masat për ata që dhunojnë mjekët si dhe rritje sigurie në spitale”, zv Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Dr. Mira Rakacolli. /Gazeta Shneta/