Hyrjet në Qendrën Klinike Universitare janë keqpërdorur si nga punëtorët, ashtu edhe nga vizitorët. Të parët, në mungesë të llogaridhënies kanë keqpërdorur pagesat tek rampat, ndërsa vizitorët shpeshherë i kanë përdorur hyrjet e QKUK-së si rrugë tranzite për t’i ikur kolonave në trafik.
Këtyre keqpërdorimeve synohet t’iu vihet fundi me dixhitalizimin e parkingjeve brenda QKUK-së, shkruan Gazeta Shneta.
“Ka pas tollovi shumë të madhe sepse hapësirat tona në QKUK, janë përdorur si parking privat. Shuma e pagesës ka qenë 1 euro dhe kanë mundur me lënë veturën 1 javë”, thotë Faton Hajzeraj, menaxher i projektit.
Ai tregon se me dixhitalizimin e parkingjeve, forma e pagesës është bërë me intervale kohore. Veturat e punëtorëve të QKUK-së janë regjistruar dhe u janë shpërndarë kartela për hyrje falas, ndërsa vizitorët duhet të tërheqin kuponë.
“Prej momentit kur tërheq kuponin, deri në minutën 30, pagesa është 0.50 euro. Ndërsa pas minutës së 30 deri në 1 orë, pagesa kushton 1 euro. Pas orës së parë, secila orë tutje kushton nga 0.50 euro”, ka shpjeguar Hajzeraj.
Ai thotë se nuk do të ketë keqpërdorime të pagesave pasi përllogaritja do të bëhet në mënyrë dixhitale dhe do të vendosen kamera.
“Poashtu, njëra prej arsyeve të dixhitalizimit ka qenë forma e pagesës pasi kemi pasur shumë probleme. Tani pagesat do të bëhen larg nga rampa”, ka thënë ai.
Hajzeraj ka treguar se qendra e pagesave është vendosur prapa Klinikës së Kirurgjisë, ndërsa pikat tjera janë ndihmëse.
Ai ka shtuar se do të krijohen edhe 300 vende të tjera për parkim, pasi ka kërkesa nga stafi dhe pasi të përfundohen këto, edhe llogaritja e vendeve të lira do të bëhet në mënyrë digjitale dhe njoftimi do të bëhet me semaforë tek rampat.
Hajzeraj ka pohuar se kjo formë dixhitale është duke funksionuar mirë dhe nuk ka tollovoi brenda QKUK-së. /Gazeta Shneta/