Gjyqi i Nderit i Odës së Mjekëve të Kosovës ka vërtetuar vendimin e Këshillit Etik për shkelje të kodit etik në rastin e drejtorit të SHSKUK-së Dr. Basri Sejdiu dhe drejtorit të Shërbimit Kardiokirurgjik Dr. Tefik Bekteshi.
Gazeta Shneta ka siguruar vendimet e GJN-së ku janë refuzuar ankesat e Sejdiut dhe Bekteshit si të pabazuara dhe janë vërtetuar vendimet e Këshillit Etik.
“Me datë 08.04.2020 Shërbimi Profesional i OMK-së ka pranuar ankesën e të paraqiturit Dr. Basri Sejdiu, i cili ka ushtruar ankesën GJN.03/2020 kundër vendimit të Këshillit Etik KE.02-5/2020 i datës 03.03.2020 duke pretenduar se vendimi lidhur me masën e shqiptuar disiplunore është i përfshirë me shkelje të dispozitave materiale prandaj ka propozuar që të aprovohet ankesa e të paraqiturit dhe vendimi disiplinor të ndryshohet ashtu që Gjyqi i Nderit të marrë vendim shfajësues për të paraqiturit Dr. Basri Sejdiu”, thuhet në vendim.
“Gjyqi i Nderit si organ i shkallës së dytë, pas vlerësimit të pretendimeve ankimore të paraqiturit, duke vlerësuar shkresat e lëndës dhe rrjedhën e procedurës disiplinore bashkë me vendimin e goditur të Këshillit Etik, ka gjetur se Këshilli Etik ka zbatuar në mënyrë të drejt dispozitat materiale gjatë shqyrtimit të çështjes etike, duke bërë vlerësim objektiv të rrethanave gjegjëse”, thuhet ndër të tjera në vendimin e Gjyqit të Nderit.
Ky organ vendim të njëjtë ka marr edhe në rastin e drejtorit të Kardiokirurgjisë Dr. Tefik Bekteshi.
Kujtojmë se Sejdiu dhe Bekteshi janë shpallur fajtor për mos përdorimin e vulës valide të lëshuar nga Oda e Mjekëve të Kosovës sipas licencës së internistit. Sejdiu dhe Bekteshi kanë përdorur vulën me titullin e kardiologut, titull ky i cili ishte jo valid për shkak se licencat e tyre të punës janë të lëshuar me titullin e internistit.
Ata të dy janë gjobitur edhe me nga 1 mijë euro për këtë shkelje, ndërsa vazhdojnë të mbajnë pozitat udhëheqëse në SHSKUK. Sejdiu dhe Bekteshi nuk kanë pranuar të përgjigjen në pyetjet e Gazetës për këtë çështje. /Gazeta Shneta/