I plotësuar – Inspektorati Shëndetësor i Ministrisë së Shëndetësisë është furnizuar me mjete mbrojtëse kundër koronavirusit tre herë nga depoja e MSH-së.
Kryeinspektorja u.d. Dr. Nora Krasniqi dhe MSH kanë ofruar si dëshmi dokumentet zyrtare të distribuimit të materialeve nga depoja, shkruan Gazeta Shneta.
“Ju informoj se stafi i Inspektoratit Shendetesor eshte pajisur me kohe dhe intervale te vazhdueshme me mjete mbrojtese si maska kirurgjike, maska me respirator, doreza, dezinfektues”, thuhet në deklaratë.
Më poshtë janë dokumentet ku shihet se Inspektorati ka pranuar materialet nga depoja e MSH-së. /Gazeta Shneta/
————————————————————————————————————-
Inspektorët shëndetësor kanë dal në terren për të inspektuar institucionet shëndetësore publike dhe private, pa u pajisur me mjete mbrojtëse adekuate.
Ministria e Shëndetësisë sot ka nxjerr një urdhëresë për pezullimin e punës së ordinancave stomatologjike dhe fiziatrike private. Për të zbatuar këtë vendim, MSH ka urdhëruar Inspektoratin Shëndetësorë që të dalin në terren, shkruan Gazeta Shneta.
Por Inspektorët nuk po pranojnë të dalin në terren pa u furnizuar me mjete mbrojtëse. Këtë e kanë deklaruar në kushte anonimiteti për Gazetën. Ata kanë publikuar edhe një fotografi ku shihen me maska kirurgjike, ndërsa kanë treguar se gjatë një inspektimi në një institucion privat janë pajisur me disa mantila steril dhe maska.
Por kryeinspektorja u.d. Dr. Nora Krasniqi thotë se janë plotësuar me furnizim nga MSH dhe janë furnizuar me rroba një përdorimëshe dhe mjete tjera mbrojtëse nga koronavirusi.
“Sot e kemi marr njoftimin dhe ka shkuar një ekip në depo për t’u furnizuar me rroba një përdorimëshe dhe mjete tjera mbrojtëse. Kjo është hera e tretë që jemi furnizu pasi edhe dy herë të tjera jemi furnizuar javën e kaluar”, ka deklaruar Krasniqi.
Shumë institucione dhe komuna i janë drejtuar MSH-së për t’i furnizuar me pajisje mbrojtëse kundër koronavirusit, i cili deri më tani në Kosovë ka prekur 21 persona. /Gazeta Shneta/